UNESCO e shpalli Arkivën shqiptare “Marubi” pjesë të Kujtesës së Botë

Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit e cila gjendet në Shkodër, është shpallur pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedani në rrjetin e tij social Facebook ka shkuar se ky është një lajm i madh për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe kontributin unik që dinastia Marubi ka dhënë për historinë botërore të fotografisë”.

“Sot është një ditë që do të mbetet e gdhendur në kujtesën e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. Një ditë historike që do të përkujtohet përjetësisht si momenti kur vlerësimi i trashëgimisë së themeluesve të fotografisë shqiptare u bë pjesë e “Kujtesës së Botës”. Koleksionet e çmuara fotografike të Pietro dhe Kel Marubit, të ruajtura me pasion dhe përkushtim në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, u shpallën pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”, ka shkruar Bedani.

Bedani gjithashtu ka potencuar se koleksionet e Pietro dhe Kel Marubit janë më shumë se një thesar fotografik-ato janë pasqyra të gjalla të jetës dhe ngjarjeve të kaluara, një kronikë e paharrueshme e ndryshimeve që ka përjetuar Shqipëria.

“Koleksionet e Pietro dhe Kel Marubit nuk janë thjesht një pasuri për Shqipërinë, por një dëshmi e një identiteti të Shqipërisë Evropiane. Ky koleksion është një thesar unik që i ofron botës mundësinë për të kuptuar dhe përjetuar zhvillimet historike dhe sociale të Shqipërisë, por gjithashtu për të pasur një vështrim të vlefshëm mbi një periudhë të rëndësishme të historisë evropiane. Ky visar na lidh me të kaluarën dhe qëndron si dëshmi e gjallë për ngjarjet që kanë formuar identitetin tonë kombëtar dhe evropian”, u shpreh Bedani.

Ai mes tjerash ka thënë se kjo njohje e UNESCO-s është një thirrje për të reflektuar mbi vlerat e trashëgimisë kulturore dhe për të mbrojtur dhe nderuar atpo.

Programi “Memory of the World” i UNESCO-s synon të ruajë dhe promovojë dokumentet më të rëndësishme të historisë njerëzore në të gjithë globin.