UKM i harmonizon pagesat: Me digjitalizimin shpenzime më të mëdha për një pjesë të studentëve

Harmonizohen tarifat që i paguajnë studentët e Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM). Për studentët e disa fakulteteve kjo do të thotë rritje e shpenzimeve: tarifa e shkollimit mbetet e njëjtë, kurse tarifat e rritura janë në emër të “burimeve online” dhe “burimeve materiale”, transmeton Portalb.mk.

Përderisa disa studentë shprehën kundërshtime nga frika e ngarkesës së rritur financiare, udhëheqësia e universitetit më të madh shtetëror e justifikon këtë lëvizje me “shpenzimet reale” dhe modernizimin e programeve. Krahas kësaj është njoftuar se sivjet për herë të parë regjistrimi dhe vërtetimi i semestrave në UKM do të bëhet tërësisht online, pa dokumente në letër dhe radhë në shërbimet e administratës studentore.

Zëra të rinj dhe të “riemërtuar”

Nëse vitin e kaluar studentët e Fakultetit Filozofik në Shkup gjatë regjistrimit në semestrin dimëror, krhas pagesës së participimit, kanë paguar 1.150 denarë shtesë, këtë vit do të paguajnë 3.650 denarë, që është një rritje prej 2.500 denarësh.

Në udhëzimet për regjistrimin e semestrit të ri që studentët i kanë marrë me email, përveç shpenzimeve të detyrueshme prej 750 denarësh për aktivitete informative, kulturore dhe sportive (AIKS) dhe 100 denarësh për regjistrim dhe vërtetim të semestrit, studentët kanë vërejtur edhe dy pika të reja për të cilat duhet të bëjnë pagesë: 2.000 denarë për “burime online për realizimin e programit studimor” dhe 800 denarë për “blerje të mjeteve materiale për realizimin e programit studimor”.

Studentë të shqetësuar të Fakultetit Filozofik i janë drejtuar redaksisë së Meta.mk me reagime për rritjen e pagesave. Ata thonë se njoftimin e kanë marrë pak ditë para regjistrimit të semestrit dimëror dhe se janë të befasuar nga shpenzimet shtesë.

Mirëpo, pasi bëmë një hulumtim të shkurtër mes njësive të tjera të UKM-së, u bë e qartë se Fakulteti Filozofik nuk është i vetmi – të paktën edhe dy fakultete të tjera – Ekonomiku dhe Juridiku – gjithashtu i kanë rritur shumat që studentët duhet t’i paguajnë nga ky vit akademik.

Pagesat e përgjithshme, përveç participimit, në Fakultetin Ekonomik vitin e kaluar kanë qenë rreth 1.400 denarë për semestër, ndërsa këtë vit janë rreth 3.000 denarë.

Universiteti Kirili dhe Metodi, foto: UKM
Universiteti Kirili dhe Metodi, foto: UKM

Meta.mk iu drejtua rektores së UKM-së, Biljana Angellova, e cila tha se nga ky vit pagesat e studentëve po harmonizohen në të gjitha fakultetet, përkatësisht po shfuqizohet praktika që studentët në fakultete të ndryshme paguajnë shuma drastikisht të ndryshme.

Për këtë qëllim është miratuar një Aneks i Rregullores për kushtet, kriteret, rregullat dhe procedurat për studimet e ciklit të parë (studimet universitare) dhe të ciklit të dytë (studimet pasdiplomike).

“Kemi harmonizuar pagesat e shkollimit të të gjithë UKM-së. Të gjitha shërbimet që i paguajnë studentët janë harmonizuar. Disa fakultete kanë shpenzime shtesë për burimet materiale dhe qasje në rrjete që janë specifike për programet e tyre. Kështu që disa fakultete kanë vendosur tarifa, e të tjerë i kanë ulur dhe harmonizuar ato. Të gjitha shërbimet që i kanë studentët tani janë të harmonizuara dhe i njëjti çmim do të paguhet për të gjitha njësitë e UKM-së, gjegjësisht është bërë harmonizim ndërmjet studentëve dhe ndërmjet njësive”, thotë rektorja e UKM-së.

Deri më tani studentët e UKM-së paguanin çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim në fakultete të ndryshme. Kështu, Vërtetimet për student të rregullt te shërbimet e administratës studentore në disa fakultete kushtonin 200 denarë, te të tjerët 100 denarë, ndërsa te të tjerët – si Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) – ishin falas.

„Mjetet janë të dedikuara për nevojat e studentëve“

Harmonizimi i çmimeve të shërbimeve që paguajnë studentët është hap i arsyetuar dhe pozitiv nga ana e universitetit, thotë për Meta.mk dekani i Fakultetit Filozofik, profesori Oliver Bakreski.

Ai thotë se në kuadër të Fakultetit Filozofik më nuk paguhen shërbime të caktuara, siç është zëri për “provime” (300 denarë), por në të njëjtën kohë janë vendosur zëra të rinj.

Sipas Bakreskit, Aneksi i ri i Rregullores së studimeve u lejon fakulteteve të vendosin vetë kompenzime të caktuara në bazë të specifikimeve dhe shpenzimeve të tyre reale.

“Në kuadër të harmonizimit, Fakulteti Filozofik nuk do të marrë para më për disa shërbime që i ka marrë për zëra të caktuar, ndërsa sa i përket çështjes së pagesës së AIKS-së, studentët e kanë paguar këtë pagesë në UKM vite më parë ndërsa këto janë mjete që studentët i përdorin sërish për nevojat e tyre. Duke u udhëhequr nga shpenzimet reale që fakulteti i ka vetëm në dy baza për burime online dhe për shpenzime materiale, fakulteti përcaktoi çmimin e duhur të pagesës së artikujve të specifikuar që i keni cekur në pyetje”, thotë Bakreski.

Dekani i Fakultetit Filozofik shton se mjetet e paguara nga studentët janë të dedikuara ekskluzivisht për nevojat e tyre, për realizimin e detyrimeve vjetore që rrjedhin nga programet mësimore, si dhe për përgatitjen e punimeve seminarike, detyrave projektuese, prezantimeve, temave të diplomës dhe masterit, për të cilat fakulteti u mundëson studentëve të përdorin infrastrukturën shkencore online.

“Infrastruktura shkencore online e ofruar nga fakulteti për studentët përbëhet nga baza të të dhënave elektronike të licencuara të burimeve akademike, të destinuara për nevojat e mësimit dhe hulumtimit gjatë studimeve. Studentët kanë qasje në bazën elektronike të punimeve akademike JSTOR, e cila përfshin qasje në një numër të madh revistash shkencore si dhe qasje në një numër të madh librash elektronikë. Për më tepër, mundësohet edhe qasja e integruar në bazën e të dhënave ARTSTOR, e cila ofron 3 milionë imazhe nga muzetë kryesorë, arkivat fotografike, duke përfshirë koleksione të rralla dhe të rëndësishme që nuk janë të disponueshme diku tjetër dhe që përfshijnë një gamë të gjerë disiplinash, të paraqitura së bashku me një përmbledhje mjetesh të specializuara për ligjërim dhe mësim. Pastaj, ata kanë qasje në bazën elektronike Cambridge Core, ku janë në dispozicion artikuj nga mbi 450 revista shkencore”, thotë profesor Bakreski.

Sipas tij, një pjesë e mjeteve të reja do të dedikohen edhe për pasurimin e fondit të të dymbëdhjetë bibliotekave me të cilat disponon Fakulteti Filozofik.

Meta.mk bisedoi edhe me dekanët e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, të cilët janë pajtuar se çmimet e reja përputhen me shpenzimet reale.

“Ato tarifa që kishim më parë janë vendosur më shumë se 10 vjet më parë. Para dhjetë vitesh fakulteti ishte në një gjendje, ndërsa tani është në një gjendje tjetër. Vetëm në katër vitet e fundit janë bërë investime në Universitetin Ekonomik, ndër të cilët 350 kompjuterë laptop dhe desktop, katër laboratorë të rinj modernë, është përmirësuar infrastruktura informatike, janë vendosur kabllo optike që studentët të kenë internet. Praktikisht, në fakultetin tonë 3000 persona mund të lidhen në internet në çdo moment pa pasur problem me qarkullimin e internetit, që sigurisht është kusht për digjitalizimin e mëtejshëm. Gjithashtu, ne punojmë ekskluzivisht me softuerë të licencuar – të gjitha këto i mbulojmë nga mjetet tona dhe një pjesë të këtyre shpenzimeve i paguajnë studentët”, thotë dekani i Fakultetit Ekonomik, Predrag Trpeski.

Sipas tij, shpenzimet e reja janë vetëm një “pikë në oqean”.

“Nëse duam të zhvillohemi, edhe studentët duhet të marrin pjesë në një pjesë të shpenzimeve. Fakulteti Ekonomik si burime kryesore të financimit i ka projektet, participimin e studentëve dhe sigurisht mbulimin e një pjese të shpenzimeve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nga ana tjetër, në fakultet kemi edhe një politikë sociale, ku njerëzit që vijnë nga familje sociale me të ardhura të ulëta kanë mundësi të punojnë në fakultet – p.sh. në bibliotekë dhe në të njëjtën kohë lirohen nga participimi”, thotë Trpeski.

Përndryshe, duke filluar nga ky vit, për herë të parë në të gjitha fakultetet që janë pjesë e UKM-së, regjistrimi dhe vërtetimi i semestrave do të bëhet tërësisht në mënyrë digjitale, pa qenë nevoja të plotësohen dhe dorëzohen formularë në letër pranë sporteleve të shërbimeve të administratës studentore.

Studentët e UKM-së tashmë kanë marrë udhëzime se si do të zhvillohen këto procese elektronike në e-mail adresat e tyre zyrtare elektronike.