“Uji ishte i yndyrshëm dhe të ngjitej në gojë”, golgota që po e përjetojnë banorët e Gostivarit i ka bërë ta humbasin besimin tek institucionet (VIDEO)
Vapa e gushtit, rrëmujë në qendrën e Gostivarit dhe tabela me paralajmërime në çdo hap: “Uji nuk është për përdorim”. Për më shumë se 20 ditë uji nga ujësjellësi i qytetit është i kontaminuar me fekale. Në këtë qytet gota me ujë çdo ditë është shkak për frikë. Ajo që për shumicën prej nesh është diçka më e zakonshme, për banorët e Gostivarit është kthyer në përballje të përditshme me rrezikun dhe frikën, a do të sëmuren nga dreka e gatuar, a do tu irritohet lëkura nëse bëjnë dush, a do t’u infektohen sytë nëse e lajnë fytyrën. Dhe e gjithë kjo ndodh në qytetin nën Malin Sharr, qytetin pranë burimeve në Vrutok, në mbi 40 gradë në mes të vapës së verës, kur nevoja për ujë të pastër është edhe më e madhe, transmeton Portalb.mk dhe Meta.mk.
Ekipet tona gazetareske kaluan një ditë në Gostivar. Pasi mijëra banorë përfunduan në repartet e sëmundjeve infektive, besim tek institucionet nuk ka. Qytetarët janë të revoltuar, të zemëruar dhe të zhgënjyer. Ata nuk i besojnë informacionet që po u jepen në lidhje me sigurinë e ujit. Për ata që janë të moshuar, të sëmurë ose që nuk janë në gjendje të sigurojnë ujë vetë kriza është edhe më e vështirë.
Qëndruam pranë çezmës të qytetit, në afërsi të komunës, ku paraprakisht ekipet e Institutit të Shëndetit Publik (IShP) morën mostra për analiza kimike dhe mikrobiologjike. Taksisti që ishte aty pranë na tha: “Kini kujdes, mos i lani duart dhe mos e pini ujin! Bleni ujë në dyqan.”
Ujë në pikën e shpërndarjes te spitali, nuk ka
Ujësjellësi – Gostivar: rr. JNA nr. 139, Kopshti i Fëmijëve “Prolet” në rrugën Beliçica nr. 47, SHMEK “Gostivar” (Shkolla e Mesme Ekonomike) në rrugën Zhivko Brajkovski nr. 39, te NP “Pyjet Kombëtare” (dega “Sharri”) në rrugën Vëllezërit Gjinoski nr. 165, SHA EMV (dega pranë garazheve / Pitarnica): rr. Ilindenska, Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” dhe Njësia Territoriale e Zjarrfikësve (NJTZ Gostivar). Këto janë shtatë pikat në të cilat çdo ditë duhet të ketë rezervuarë me ujë dhe ujë të ambalazhuar për qytetarët.

Meta, dje para orës 12 ishte në pikën për ujë në afërsi të spitalit “Ferid Murat”, por atje, rastësisht apo jo, nuk kishte as kamion cisternë dhe as njeri që ndan ujë të ambalazhuar për qytetarët.
Jemi larë me ujë të ngrohur në shishe plastike
Biseduam me Gordana Strashevska, profesoreshë e gjuhës maqedonase e cila dukshëm e zhgënjyer komentoi se ajo që po u ndodh njerëzve të Gostivarit në javët e fundit është e tmerrshme.
“Sot, në shekullin XXI, pimë ujë si ky që është i paimagjinueshëm. Nuk është i ndotur, por plotësisht i kontaminuar dhe nuk e di se kur do të zgjidhet ky problem. Revolta tek të gjithë banorët e Gostivarit është e madhe. Njeriu mësohet me gjithçka, ne përshtatemi sepse jemi të detyruar, por revolta është e madhe sepse ajo që ndodhi u shkaktua nga faktori njerëzor, nuk ishte fatkeqësi elementare apo ndonjë katastrofë tjetër. Qyteti nën Sharr dhe pranë Vrutokut, i cili kishte ujin më të pastër dhe më të pijshëm të burimeve, sot po përballet me një gjë të tillë. Në fillim ishte e vështirë, laheshim me shishe, ngrohnim ujë në diell ose gindeshim disi nëpër fshatrat përreth. Qyteti u boshatis plotësisht. Për gatim shkonim në çezmat aty pranë për të mbushur dhe gatuanim me atë ujë të ambalazhuar. Është e vështirë, sepse jashtë është 40 gradë, kështu që nevoja për ujë është e madhe. Po gjindemi, por është e vështirë”, thotë Strashevska.

Sipas saj, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë, por të jenë fajtorët e vërtetë, e jo dikush të jetë dëm kolateral.
“Vetëm kështu do na e rikthenin besimin te institucionet. Ne nuk besojmë më në asgjë, edhe kur të na thonë se uji është i sigurt për përdorim, ne nuk e besojmë. Kemi ardhur deri në pikën ku nuk besojmë më në asgjë që thonë institucionet. E vetmja gjë e mirë në gjithë këtë është se kjo po ndodh gjatë pushimeve verore, nxënësit janë në shtëpi. Nëse problemi nuk zgjidhet deri më 1 shtator, atëherë do shfaqen problemet e vërteta. Ata do të jenë vazhdimisht në kontakt me ujin. Për fat të mirë unë nuk pata simptoma, atë periudhë ishim në pushim, por të afërmit e mi e kaluan shumë vështirë”, tha ajo.
Më të vështirë e kanë personat e moshuar dhe të sëmurët
E vizituam çiftin Ajredin dhe Jelena Qazimi. Ajredini është i verbër dhe me aftësi të kufizuara dhe për të kujdesen gruaja dhe ndihmësi. Kryqi i Kuq i Qytetit të Gostivarit i ndihmon në të gjitha mënyrat.
“Tani nuk kam zgjidhje tjetër dhe lahem me ujë çezme. Bashkëshorti im është plotësisht i palëvizshëm, as nuk flet, e kam të vështirë mirëmbajtjen e higjienës së tij përveçse me peceta të lagura. Kur pija ujin e çezmës u sëmura, kisha të vjella plot 10 ditë, ndërsa 4 ditë ndenja shtrirë, nuk mund të lëvizja nga shtrati. E kemi shumë të vështirë, bir”, tha Jelena me lot në sy.

Më të vështirë e kanë personat e sëmurë dhe të moshuarit, si dhe kategoritë e qytetarëve të cenueshëm nga aspekti social. Biljana Bellovinova nga shoqata “When in trouble” disa herë ka organizuar aksione në të cilat kanë bërë donacion të ujit për këto kategori, si dhe për banorët që jetojnë në katet e larta të pallateve.
“Kategoritë e qytetarëve të cenueshëm socialisht mezi mbijetojnë. Tani imagjinoni, ata duhet të shpenzojnë para edhe për ujë. Nuk është e lehtë, nuk është e thjeshtë, pikat ku shpërndahet uji shpesh nuk janë lehtësisht të arritshme për to. Këto kategori jetojnë në zona rurale të qytetit, e kanë të vështirë ta mbajnë ujin, duhet të paguajnë taksi, sepse në të shumtën e rasteve ata nuk kanë automjete personale. Ne u përpoqëm ta çonim ujin drejt e në shtëpitë e tyre. Për ne ishte me shumë rëndësi që njerëzit që janë të moshuar dhe që jetojnë vetëm, që nuk kanë mbështetje, tua çonim ujin në katin e 5-të ose të 6-të të pallatit, ose në vendbanimet që janë në zonat rurale të qytetit, që t’i mbulojmë nevojat e të gjitha këtyre kategorive të qytetarëve. Nuk donim që të harrohej askush, sepse nuk është e lehtë të jetosh pa ujë në këto temperatura. Mendoj se edhe kur të na thonë se uji është i pijshëm, banorët e Gostivarit nuk do ta pinë, derisa të jenë vërtet të sigurt. Ajo që ndodhi është e tmerrshme dhe njerëzit kanë frikë. Blejmë ujë dhe nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha Bellovinova.
Që nga 15 qershori e dinim që uji nuk në rregull, ishte i yndyrshën dhe të ngjitej për goje
Që nga 15 qershori e dinim që uji nuk ishte në rregull. Kur e pinim ishte i yndyrshëm, të ngjitej për goje. E dinim që diçka nuk ishte në rregull me ujin, por nuk e dinim arsyen, nuk e dinim që në ujin e pijshëm kishin vendosur pompa nga ujërat fekale, thotë me zhgënjim Nijazi Xhelili, një pensionist nga Gostivari.
“Si nuk ndjehemi të hidhëruar! Ky është shekulli 21 dhe të ndodhë kjo në Gostivar, kjo është çudi duke e pasur parasysh se uji i burimit të Gostivarit është i lehtë, ujë më i mirë në Maqedoni. Si mund ta bëjë këtë një qenie njerëzore ne çfarë mënyrë nuk e di, kjo është katastrofë. Është jonjerëzore që në Gostivar të sëmuren 4500 persona. Ata jo vetëm që kanë munguar nga puna, ata janë shtrirë nëpër spitale kanë pasur dhimbje është dashur të mjekohen. Ndoshta numri është më i madh i atyre që u është dhënë barna dhe ato kushtojnë shtrenjtë, ne jemi skamnorë me rroga të vogla dhe pensione të ulëta, kështu që edhe paratë na shkuan për tu mjekuar. Si mundet që organet qeveritare dhe inspektorët sanitar një muaj të tëre mos bëjnë analiza dhe ta lënë Gostivarin kështu. Po ata prej punës së tyre marrin rrogë, domethënë ku është përgjegjësia. Kisha thënë se ato njerëzit që i kanë vendosur pompat në vendet e ndotura ata që kanë urdhëruar të vendosen ato pompa në vendet e ndotura dhe inspektorët e obliguar për analizim e ujit të japin përgjegjësi”, tha Xhelili i revoltuar.

Sa i përket ndihmës që po shpërndahet nga cisternat dhe ujit të ambalazhuar në pika të caktuara të furnizimit me ujë në qytet, ai thotë se është i kënaqur me donatorët që po sigurojnë ujë për qytetarët.
“Por, nuk na kënaq fakti që çdokush nuk mund ta marre ujin në kohë të caktuar për shkak se kanë obligime familjare, disa janë nëna, të reja, pleq kurse numri i rinisë është zvogëluar, nuk ka rini që të mund të marrë ujin të furnizojë familjen. Donatorët që e shpërndajnë ujin e bëjnë mirë, por qytetarët kanë nevojë shumë, ata i zgjasin duart të marrin më shumë sepse është kohë krize për ujin, uji është faktor i jetës. Ata e marrin ujin në punkte ku ka, ata që i kanë larg banesat, në vende të ndryshme të qytetit, kurse qyteti është i madh dhe ato detyrohen ti mbajnë në krahë ti çojnë të shtëpia, deri sa ti çojnë të shtëpia ata lodhën. Nuk mund pa mos pasur ujë teknik dhe sasi të ujit normal familjet nuk mund të furnizohen me ujë. Tani furnizohemi vetëm me ujë për pirje, kurse nevojat tjera për larje, për dush, për banjë dhe gjellëra, kjo sasi është e vogël”, thotë Xhelili.
Nga shtabi i krizës thonë se analizat e fundit tregojnë se uji është në rregull
Zudi Xhelili, koordinatori i Shtabit lokal të krizës dhe anëtar i Shtabit qendror të krizës dhe punonjës në Komunën e Gostivarit, thotë se analizat e fundit kanë treguar se nga pikëpamja mikrobiologjike uji është i cilësisë së mirë dhe vihet re vetëm sasia e klorit të tretur në ujë, e cila disa ditë më parë ishte në një nivel më të lartë për shkak të metodës së dezinfektimit.
“Tre matjet e fundit që janë bërë për matjen e klorit në ujë kanë dalë të mira dhe parametrat tregojnë se klori i tretur në ujë është në sasitë e lejuara sipas standardeve. Kishte disa mosmarrëveshje në lidhje me deklaratën e ministrit të brendshëm Toshkovski dhe përfaqësuesit të QMK-së, Stojançe Angellov sa i përket ujit teknik mirëpo ato u tejkaluan pasi që prej momentit që u shpall se uji është teknikisht i përdorshëm nuk kishte asnjë dilemë sepse në aspektin bakteriologjik uji u rregullua që nga fillimi. Pastaj është punuar në intensifikimin e pastrimit, dezinfektimit me klor, është sforcuar kjo, pastaj edhe sasia e klorit është normalizuar dhe një ekspert i ujësjellësit të Qytetit të Shkupit u deklarua si vijon: Me gjithë këtë trajtim disa javor të ujit, të sistemit të ujësjellësit të ujësjellësit në Gostivar, momentalisht uji i Gostivarit mund të jetë më cilësor në tërë Republikën e Maqedonisë“, tha Xhelili.

Përgjegjësia duhet të kërkohet nga ata që në mënyrë të paturpshme kanë futur në ujësjellës ujë për të cilin e kanë ditur se ka qenë i kontaminuar
Biseduam edhe me Zoran Maxhoski, gazetar me përvojë shumëvjeçare dhe banor i Gostivarit, i cili i ndjek zhvillimet me ujin në qytet.
“Furnizimi me ujë në Gostivar duhet të zgjidhet. Paradoksi është shumë i çuditshëm, ne e pimë ujin më të shëndetshëm, por nuk kemi stacion filtrimi, ndërsa me zgjerimin e qytetit kemi edhe mungesë uji të mjaftueshëm në çezma. E gjithë kjo bashkë kontribuon që të kemi ujë të pashëndetshëm dhe të përballemi me probleme si këto që i kemi tani. Projektet që tashmë janë filluar duhet të përfundohen dhe më në fund të kemi presion të mjaftueshëm dhe të themi se më në fund Gostivari do të ketë një stacion filtrimi. Nuk i di të gjitha rrethanat, por nga ajo që dihet, përgjegjësi do duhet të mbajë dikush që udhëheq, dikush që ka vendosur që në mënyrë aq të paturpshme të fusë në ujësjellësin tonë ujë për të cilin dihet se është i kontaminuar. Atje duhet të kërkohet përgjegjësia”, tha Maxhoski.

Përndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë lëshoi ndalesë për pirjen e ujit në Gostivar pasi u zbuluan pompa që drejtpërdrejt injektonin ujëra të zeza në sistemin e furnizimit me ujë. Inspektorët e AUV-së dolën në terren së bashku me policinë pasi u regjistrua një numër i rritur i qytetarëve me probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, më 20 korrik, drejtoresha e NP “Komunalec” nga Gostivari dhe dy punonjës të tjerë u ndaluan dhe kundër tyre u iniciua hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se me lëndë të dëmshme e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që e furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për ta testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve Prokuroria Publike i publikoi rezultatet sipas të cilave uji në Gostivar ka qenë jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim. Në ujë u zbuluan “baktere koliforme 2.419,6 cfu/100 ml, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml, ndërsa në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua se në ujë ka një numër të rritur të kolonive bakteriale mezofile aerobe dhe prani të baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për sasi jashtëzakonisht të madhe të fekaleve në ujin e pijshëm.
Dhjetëra banorë të Gostivarit për çdo ditë këkojnë ndihmë mjekësore.
- LEXO: Pas padisë penale të LSDM-së për epideminë në Gostivar, vijuan akuzat nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtori i Inspektoratit Shëndetësor
- LEXO: LSDM ngriti kallëzim penal për ujin në Gostivar kundër katër udhëheqësve në shëndetësi
- LEXO: Avokati i Popullit hapi lëndë për ndotjen e ujit në Gostivar
- LEXO: Vazhdojnë përplasjet politike për epideminë e ujit në Gostivar