U shua zjarri në depon e “Hekurudhave të Maqedonisë – Transport”, ende nuk dihen shkaqet
Zjarri që shpërtheu mbrëmë në depon e “Hekurudhave të Maqedonisë – Transport” është shuar dhe aktualisht është duke u pastruar zona, ka thënë për MIA-n komandanti i zjarrfikësve të Shkupit, Zvonko Tomevski, transmeton Portalb.mk.
Është raportuar në orën 01:20, dhe sipas Tomevskit, në shuarje kanë marrë pjesë 30 zjarrfikës me 10 makina zjarrfikëse.
Depoja ndodhet në bulevardin “Brigada e Tretë Maqedonase”, ku mëngjesin e sotëm mund të shihen re të errëta tymi që ngrihen mbi vend.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) paraprakisht informoi për “360 Gradë” se zjarri në Sektorin e Punëve të Brendshme të Shkupit është raportuar në ora 01:45 dhe se, sipas informacioneve, digjet një hangar në të cilin ka pasur vagone të vjetra me defekte dhe lokomotivat.
Sipas Ministrisë së Brendshme, zjarri është vënë nën kontroll rreth orës 03:30, por mëngjesin e sotëm në orën 09:00 është raportuar se është riaktivizuar. Siç shtojnë nga atje, nga rasti nuk ka persona të lënduar.
Për momentin nuk dihen shkaqet e zjarrit si dhe dëmet materiale të shkaktuara.