U shty seanca kundër 9 zyrtarëve policor për zjarrin në “Koçan”

Seanca gjyqësore për rastin “Koçani”, që përfshin 9 zyrtarë policorë të akuzuar, është shtyrë për shkak të kërkesës së Prokurorisë Themelore Publike. Nga Gjykata Penale në Shkup bëhet e ditur se arsyeja lidhet me faktin që prokurorja kompetente ende nuk është caktuar për të vazhduar procedurën në kuadër të krimit të organizuar. Ndërkohë, lënda “IPARD” pritet të zhvillohet me vetëm në seancë paraprake dëgjimore, ndërsa rasti “Koçani” vazhdon të mbahet në Idrizovë sipas procedurave të zakonshme, transmeton Portalb.mk.

“Nesër, 25 mars, lënda për 9 zyrtarët e policisë të akuzuar për Koçanin shtyhet me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike, duke pasur parasysh se prokurorja Ivana (Aleksova Trajçeva) ende nuk është zgjedhur për të vazhduar në rastin e organizuar. Lënda IPARD, do të gjykohet vetëm me një seancë paraprake dëgjimore, ndërsa rasti Koçani mbahet në Idrizovë si zakonisht”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.

Kujtojmë se më 26 shkurt, Këshilli për vlerësimin e aktakuzës në kuadër të Gjykatës Penale Themelore Shkup mori vendime me të cilat në tërësi i aprovoi dy aktakuzat e parashtruara nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas çka janë formuar edhe dy lëndë penale – juridike, në lidhje me zjarrin në Koçan dhe me programin IPARD.

Lënda e parë ka të bëjë me 13 nëpunës policorë, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, në lidhje me zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan.

Lënda e dytë ka të bëjë me keqpërdorime financiare dhe mitmarrje në lidhje me programin evropian IPARD.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 ishin individë dhe tre ishin persona juridikë. Pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune janë të akuzuar.

Ndër kohë për IPARd, pesë persona u arrestuan nën dyshimin për ryshfet, ndikim të paligjshëm dhe mashtrim me fondet IPARD. Sipas hetimeve, drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dyshohet se ka nënshkruar marrëveshje të kundërligjshme, duke u premtuar fonde kompanive që nuk plotësonin kriteret, në këmbim të dhuratave të majme, një prej tyre në shumën prej 50.000 eurosh. Tre ndërmjetës, mes tyre edhe zyrtarë shtetërorë, dyshohet se ushtruan ndikim të jashtëligjshëm për të mundësuar vendimin. Gjatë bastisjeve u gjetën fonde të konsiderueshme, duke konfirmuar dyshimet për korrupsion sistemik.