U shpalos pjesërisht plani për zgjidhjen e kaosit në Qytetin e Shkupit

Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit sot ka shpalosur para opinionit në pika të shkurta planin për zgjidhjen e kaosit me transportin publik dhe mbeturinat në kryeqytet, transmeton Portalb.mk.

Kreu i këshillit Trajko Sllaveski sqaroi se për rikthimin në normalitet të qarkullimit publik në qytet do të duhet kthimi në rrugë i të paktën 30 autobusëve.

Ndërkaq për pastrimin e kryeqytetit nga mbeturinat nevojiten të paktën 120 punëtorë sezonalë në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale”.

“Fatkeqësisht publiku nuk mund të shohë publikisht një plan të paraqitur nga Qyteti i Shkupit për zgjidhjen e problemeve, por të gjitha këto përsëriten se nuk ka mjaftueshëm të punësuar në Higjienën Komunale, do të thotë punëtorët sezonalë, se pajisjet janë të vjetruara dhe shpresoj se në seancën që do të mbahet më 29 të këtij muaji do të mund ta informoni opinionin se çfarë kanë plani përfaqësuesit e qytetit të Shkupit dhe zgjidhjen e problemeve që po i shqetësojnë qytetarët e qytetit të Shkupit”, tha Sllaveski.

Ky plan pritet të miratohet në Këshillin e Qytetit të Shkupit më 29 gusht.

Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së thanë se do të përkrahin këtë plan.

“Morëm premtim se raportin do ta marrim nesër por do të shohim se çfarë konkretisht do të marrim nga ndërmarrjet por e theksoj se do t’i votojmë programet që kjo situatë të zgjidhet”, tha këshilltari i VMRO-së Martin Stojanovski.

Përkrahje premtuan edhe këshilltarët e LSDM-së.

“Çdoherë kemi thënë se votojmë në interes të qytetarëve dhe të gjitha këto programe për funksionimin e ndërmarrjeve publike, për pastrim, për rrugë për të angazhuar punëtorë sezonal ne i kemi votuar dhe kemi kërkuar qëndrim që të gjithë t’i votojnë sepse të gjithë ne mbajmë përgjegjësi”, tha këshilltari i LSDM-së Gordan Shutarov.

Mosmarrëveshjet mes Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit në vend se të qartësohen, kulmuan pas takimit të mbajtur të hënën (19.08) në mes të kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski dhe kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Para fillimit të vitit shkollor qyteti është lënë në mëshirë të fatit. Në vend të zgjidhjes së problemeve me transportin publik, funksionimit të ndërmarrjeve publike dhe plehrave në të cilat po mbytet qyteti, të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën, pa plane konkrete se si të gjejnë zgjidhje për problemet e shumta në të cilat kryeqyteti po fundoset.