U rrëzua vendimi i KQZ-së, Lista Serbe do të merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë,

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe ka vendosur që të certifikojë listën e kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe, transmeton Portalb.mk.

PZAP e ka certifikuar listën me 33 kandidatë për deputetë të Listës Serbe. Këta kandidatë do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Zgjedhjet do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

“Pranohet rekomandimi i Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 11.12.2025, Certifikohet lista e kandidatëve (33 kandidat) të subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

KQZ nuk e kishte certifikuar më herët listën e kandidatëve të Listës Serbe. Në mbledhjen e 10 dhjetorit 2025, tre anëtarë votuan pro, dy kundër dhe gjashtë abstenuan.

Pas moscertifikimit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara reagoi publikisht. Ajo tha se përpjekjet për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe janë dritëshkurtra dhe përçarëse.

Edhe Ambasada Gjermane reagoi ndaj rastit.

Kjo është hera e tretë që KQZ nuk e certifikoi fillimisht Listën Serbe. E njëjta situatë ndodhi edhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Në të dy rastet e mëhershme, vendimi i KQZ-së ishte rrëzuar nga PZAP.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lista Serbe fitoi 9 nga 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.