U pranuan si prova dokumentet ndaj Thaçit dhe të tjerëve të cilat mbrojtjet i kundërshtuan

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që dokumentet të cilat u kundërshtuan në seancat e kaluara të pranohen si prova materiale, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, transmeton Syri.net.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në seancën e sotme gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, tha se këto dokumente janë të relevante për t’u vërtetuar natyra e punës së personave që përmenden në ato si dhe aktivitetet e tyre që i kanë kryer gjatë punës.

“Sa i takon ofertës së ZPS-së për pranimin e dy dokumenteve në dëshminë e dëshmitarit 04571, trupi gjykues vendos si më poshtë: Sa i takon relevances, trupi gjykues konstaton se ato janë dokumente relevante pasi kanë të bëjnë me persona të cilët pretendohet se janë viktima të krimeve të cilët kanë të bëjnë me këtë çështje dhe që kanë të bëjnë me dyshime të lidhura me këtë individ që kanë bërë gjatë luftës. Për me tepër, këto dokumente janë relevante për të vërtetuar së pari natyrën e punës së përbashkët të kryer nga bashkëpunëtorët e dyshuar si dhe shkallën e aktiviteteve të tillë të dyshuara të kryera nga ky grup bashkëpunëtorëve”, tha Smith III.

Ai dha jepi shpjegim edhe sa i takon autenticitetit të këtyre dokumenteve duke thënë se nuk kanë informacion përveç atyre që i ka ofru ZPS-ja në seancën e kaluar.

“Sa i takon autenticitetit, trupi gjykues konstaton që nuk ka informacion asgjë tjetër përveç faktit se këto janë informacione që janë mbledhur nga forca Zbulim-Kundërzbulim dhe individë të cilët mund të jenë të dyshuar si bashkëpunues të autoriteteve serbe. Nuk ka informacion se këto dokumente mund të jenë të ndërhyra dhe me aq sa dihet këto dokumente janë thjeshtë dokumente të asaj kohe që kanë të bëjnë me informacionin e përmbajtur në të”, tha gjyqtari.

Gjyqtari tha se sipas ZPS-së këto dokumente janë sekuestruar nga autoritetet serbe të cipa më pas ia kanë dhënë TPNJ-së.

“ZPS-ja tregon që dokumentet janë sekuestruara nga autoritetet serbe dhe me pas u janë dhënë TPNJ-së. Të dy dokumentet kanë të bëjnë me anëtarët e UCK-së, takimet dhe aktivitetet e anëtarëve të UCK-së. Dëshmitari 04571 ka dhënë dëshmi të drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit që është në pajtim me shënimet e mbajtura me shkrim dore që kanë të bëjnë me lidhjet e pretenduara në veçanti me oficerin e Policisë serb dhe individ të tjerë të cilët përmenden me këto dokumente. Dokumentet mbështetin pjesërisht shënimet me shkrim dore në dëshminë që tregon se është lëshuar një urdhër-arresti për dëshmitarin përpara se ai të burgosej”, tha ai.

Tutje, ai tha se mbrojtja nuk ka arrit të shpjegojë se këto dokumente nuk duhet të merren parasysh.

“Së fundi mbrojtja nuk ka barrë sa i takon këtij aspekti dhe trupi gjykues konstaton se mbrojtja nuk ka ofruar shpjegime të besueshme se pse këto dokumente nuk duhet të merren parasysh dhe nuk duhet të konsiderohen si informacione të rëndësishme për këtë çështje gjyqësore”, tha ai.

Në fund, trupi gjykues, tha se këto dokumente kanë vlerë provuese ‘prima-facie’ kështu duke i pranuar në prova materiale.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.