U parandalua një shpërthim në Veles, zjarr pranë një magazine me më shumë se 80 tonë gaz

Një zjarr ka shpërthyer në afërsi të “Porcelankës” afër Velesit, ku ka depozita dhe një depo me mbi 80 tonë gaz. Zjarri është ndalur rreth 100 metra larg rezervuarëve të gazit, falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve të Velesit. Kështu ka bërë të ditur sot drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angelov, i cili nga vendi i zjarrit ka dërguar video-mesazh për mediat, duke sqaruar pamjen nga terreni, transmeton Portalb.mk.

“Po të mos ishte ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve do të kishte ndodhur një shpërthim i madh. Ministria e Brendshme po punon për shkaqet e zjarrit dhe gjetjen e personit që shkaktoi këtë zjarr të rrezikshëm për jetën”, thotë ai.

Sipas tij, është kërkuar edhe ndihma nga ajri, por zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë edhe para se aeroplanët të dilnin në terren.

Siç theksoi Angelov, bëhet fjalë për cisterna me gaz të ndezshëm.