U ndanë çmimet “Nikolla Mlladenov” për gazetarët, storja për mbikëqyrësin e “Behtel Enkas” e mori vendin e parë

Gazetari Aleksandar Dimitrievski e fitoi çmimin e parë për storjen më të mirë hulumtuese në konkursin e sivjetmë për çmime gazetareske “Nikolla Mlladenov”, për storjen “Nga kompani për veshje të brendshme deri në mbikëqyrës të projektit prej 1,3 miliardë euro me ekspertë të huazuar”, e cila është publikuar në emisionin “360 Gradë”, njofton Portalb.mk.

Çmimin e dytë për storje më të mirë hulumtuese e ka fituar gazetarja Irena Mullaçka për serinë e teksteve lidhur me skandalin në Klinikën e Onkologjisë, të publikuar në javoren “Fokus”.

Gazetari Martin Pushevski është fitues i çmimit të tretë për storjen më të mirë për serinë e teksteve për luftën e qytetarëve nga Lugina e Strumicës kundër hapjes së minierës “Illovica”, të publikuar në portalin “Doma”. Seria e teksteve për “Illovicën” zbuloi se si miniera ka arritur në hap deri në marrjen e lejes për punë, pavarësisht shqetësimit dhe reagimeve të qytetarëve dhe ekspertëve për dëmet që mund të shkaktohen ndaj mjedisit jetësor në atë rajon.

Ekipi i gazetarëve Sashka Cvetkovska, Elena Mitrevska Cuckovska, Maja Jovanovska dhe Ivana Nasteska nga redaksia e IRL-së e fituan çmimin për prodhimin më inovativ gazetares për storjen hulumtuese, gjegjësisht filmin dokumentar “Vrasje në Tetovë”, e cila është transmetuar në RTMV1 dhe në ueb-faqen e IRL-së.

Çmimin për fotografinë më të mirë raportuese e ka fituar fotoreporteri Tomisllav Georgiev për fotografinë “Kisha”, të publikuar në platformën e internetit të javores “Fokus”.

Lëvdata për angazhim në kategorinë e storjes më të mirë hulumtuese u janë dhënë gazetareve Marjana Mirçevska Jovanoviq, Sllavica Filipovska Ivanova dhe Jasmina Jakimova. Redaksisë së “Vidi Vaka” dhe gazetares Katerina Topallova u janë dhënë lëvdata për angazhim të theksuar në kategorinë e prodhimit më inovativ gazetaresk.

Çmimet për storje më të mirë hulumtuese i ndan Instituti Maqedonas për Media prej vitit 2001, ndërkaq nga vitit 2013-të, çmimi e mban emrin e gazetarit të ndjerë i cili ka qenë dhe pronar i javores “Fokus”, Nikolla Mlladenov.