U mor vendim: Vinora SHPKNJP Shkup do të bëjë instalimin e stacionit të kompresorit në Qendrën Klinike Shkup

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se është marrë vendim për zgjedhjen e ofertës së ofertuesit Vinora SHPKNJP Shkup për ndërtimin e stacionit të ri të kompresorit për sallat e kirurgjisë së Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Kontrata, thonë nga Ministria, do të nënshkruhet në periudhën e ardhshme, sipas afateve ligjore, transmeton Portalb.mk.

“Instalimi dhe montimi i pajisjeve duhet të kryhet brenda 4 (katër) muajve, të llogaritur nga dita e lidhjes së kontratës, sipas kushteve të publikuara në dokumentacionin e tenderit dhe në shpalljen e publikuar”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, dje tha se përveç ndërtimit të stacionit të ri të kompresorit për sallat e kirurgjisë së Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, planifikohet që në të ardhmen të mbahet si rezervë ai ekzistues në rast të ndonjë defekti.

Kujtojmë se sallat e operimit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ndaluan së punuari për shkak të një ere të pakëndshme që u përhap përmes sistemit të ventilimit dhe problemi i furnizimit me oksigjen. Prokuroria Themelore Publike është zotuar se do të hetojë rastin, në rast se ka vepër penale.

Më 29 korrik, ministri Arben Taravari theksoi se në sistemin klinik për furnizimin me oksigjen është gjetur formaledih, e cila shkakton irritim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, syve dhe hundës dhe mund të shkaktojë alergji dhe inflamacione, ndërsa gjatë një ekspozimi afatgjatë mund të jetë edhe kancerogjen.