Policia me informacione në lidhje me arrestimet gjatë protestës në Shkup
Ministria për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut informoi për Portalb.mk në lidhje me arrestimet e sotme gjatë kohës së protestës së studentëve.
“Sot (18.05.2026) rreth orës 17:45, zyrtarë policorë nga SPB Shkup kanë ndaluar tre persona, shtetas të Maqedonisë, para Ministrisë së Drejtësisë për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike”, thanë nga Ministria e Brendshme për Portalb.mk.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni përmes një video-mesazhi tha se Policia ka ndalur tre persona, një maqedonas dhe dy shqiptarë, pas një zënke që ndodhi pas protestës së sotme.
Studentët nga Shqipëria që morën pjesë në protestë, e që u penguan nga policia të vijnë në Shkup shkuan në objektin e Ambasadës së Shqipërisë në Shkup.
Kujtojmë se me thirrje e pankarta për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip përveç maqedonishtes, studentët shqiptarë filluan marshin protestues në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkuan që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet.