U lëshua në përdorim reparti internistik në Spitalin e Tetovës i cili u rinovua me mbi 1 milionë euro donacion

Në hapësirat e Spitalit të Tetovës sot u lëshua në përdorim reparti internistik i cili u rinovua me donacion në vlerë mbi 1 milionë euro nga kompania Ecolog, shkruan Portalb.mk.

Në këtë hapësirë u rinovuan fasada, hyrja e godinës interne, reparti i sëmundjeve interne si dhe ambulancat për: pediatri, endokrinologji,, neurologji, psikiatri, kabinet EEG&EMG dhe laboratori.

Drejtori i Spitalit të Tetovës Agim Berisha theksoi se ky projekt i realizuar është mjaft cilësor dhe bashkëkohor.

“Me këtë investim do të përmirësohen kualitetet e shërbimeve tona të përditshme ndaj pacientëve tanë. Këto donacione të karakterit humanitar janë më se të nevojshme”, tha Berisha.

Kreu i kompanisë Ecolog Lazim Destani tha se me këtë investim është bërë punë që Spitali i Tetovës të merr pamje evropiane.

“Ne afaristët gjithmonë kemi dëshirë duam të ndihmojmë por pak a shumë kemi nevojë që dikush të na motivojë dhe të aktivizohemi në drejtime ku është në të mirën e shoqërisë. Besoj se do të ketë mirëmbajtje se çdo punë e mirë që bëhet duhet të ketë mirëmbajtje”, tha Destani.

Ish drejtori i Spitalit të Tetovës dhe deputeti aktual në Kuvendin e RMV-së Ilir Demiri tha se këto vlera mbi 1 milion euro Ecolog është donatori më i madh i Spitalit Klinik të Tetovës.

“Do kisha përdorur një hadith i cili thotë: Më i miri prej jush është ai që është më i dobishëm për tjerët. Tetova mund të ndryshojë vetëm varret qasja dhe sa dëshirë kemi për ta bërë vend më të mirë”, tha Demiri.

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari theksoi se investimet në këtë drejtim mundësojnë që pacientët të marrin shërbime më të mira kurse stafi që punon aty të kenë kushte më të mira për tu ofruar shërbime mjekësore më të mira.

“E përuroj zotëri Destanin për këtë gjest që e ka bërë, mund se kjo do t’i shtyjë njerëzit dhe kompanitë tjera të cilat kanë një farë përgjegjësie shoqërore që në periudhën e ardhshme të investojnë në repartet e ndryshme në të gjitha spitalet në RMV”, tha Taravari.

Ndryshe, në Spitalin e Tetovës në procedurë është instalimi i ashensorëve të cilat janë premtuar moti kohë, pritet të përfundojnë në muajin shtator.