U gjetën 10 detonatorë në veri të Kosovës, Sveçla akuzon Serbinë për planifikim sulmesh
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in, ka gjetur 10 detonatorë ndezës me kabllo pranë fshatit Gnjezhdan në Leposaviq, transmeton Portalb.mk.
Pas këtij rasti, ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, akuzoi Serbinë se po planifikon sulme terroriste në Kosovë përmes “bandave kriminale e terroriste”.
Ai tha se reagimi i shpejtë i Policisë dhe institucioneve të sigurisë ka ndaluar përdorimin e këtyre mjeteve, të cilat, sipas tij, mund të shkaktonin “sulme të rrezikshme terroriste”.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet dhe ka njoftuar prokurorin e shtetit.
Tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë që nga 24 shtatori 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një rreshter.
Më pas u vranë tre pjesëtarë të grupit sulmues.
Që nga ajo kohë, autoritetet kosovare kanë sekuestruar disa herë armë dhe municion në veri.
Për sulmin në Banjskë u deklarua përgjegjës Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Kosova fajëson Serbinë për këtë ngjarje, ndërsa Beogradi mohon përfshirjen.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqin. Serbia refuzon ta ekstradojë dhe thotë se do ta gjykojë vetë, ndërsa autoritetet kosovare pretendojnë se ai është nën mbrojtjen e Beogradit.