Turqia do të mbështesë pranimin e Suedisë në NATO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është pajtuar që të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO, raporton REL. Kështu tha më 10 korrik shefi i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg, pas takimit në Vilnius të Lituanisë me Erdoganin dhe kryeministrin suedez, Ulf Kristersson.

“Presidenti Erdogan është pajtuar që të çojë në Asamblenë Kombëtare protokollin e pranimit të Suedisë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe do të punojë ngushtë me Asamblenë që protokolli të ratifikohet”, tha ai.

“Kjo është ditë historike”, shtoi Stoltenberg gjatë një adresimi për media.

Në një deklaratë të ndarë u njoftua se Suedia dhe Turqia kanë arritur marrëveshje.

Turqia ka bllokuar aplikimin e Suedisë në aleancë, duke e akuzuar Stokholmin se strehon aktivistët kurdë që Ankaraja i konsideron terroristë.

Më herët gjatë të hënës, Erdogan kushtëzoi pranimin e Suedisë në këmbim të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.

Por, në deklaratën e lëshuar pas takimit trepalësh u tha se Turqia dhe Suedia do të punojnë ngushtë “në koordinimin e kundërterrorizmit” dhe do të fuqizojnë raportet dypalëshe tregtare.

“Suedia do të mbështesë në mënyrë aktive përpjekjet për të ringjallur procesin e pranimit të Turqisë në BE, përfshirë edhe modernizimin e bashkimit doganor BE-Turqi dhe liberalizimin e vizave”, u tha në deklaratë.

Që një shtet të bëhet anëtar i NATO-s, duhet që të 32 shtetet të ratifikojnë në parlamentet e tyre protokollet e pranimit. Në rastin e Suedisë, përveç Turqisë, edhe Hungaria nuk e ka ratifikuar protokollin që Stokholmi të bëhet pjesë e aleancës.