Tsipras mori çmim paqeje për Marrëveshjen e Prespës

Ish-kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, ka marrë çmimin e paqes për Marrëveshjen e Prespës. Çmimi “Nikos Nikoforidis” jepet nga organizata e paqes “Observatori i Organizatave Ndërkombëtare dhe Globalizimi”, transmeton Portalb.mk.

“Është e pakëndshme të marrësh çmim paqeje në mes të luftërave të përgjakshme, por ndoshta është një mundësi për të kuptuar se lufta për paqe nuk është e pakuptimtë, e vjetëruar apo e çuditshme”, tha Tsipras në fjalimin e tij pas dhënies së çmimit.

Ai foli për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës dhe nevojën që ajo të respektohet nga qeveria e re në vend.

“Siç kemi thënë së fundmi me Zoran Zaevin, duhet ta bëjmë të qartë se e vetmja rrugë jo vetëm për të ardhmen evropiane, por edhe për të ardhmen e vetë Maqedonisë së Veriut si shtet është respektimi i Marrëveshjes nga ana e lidershipit të saj të ri politik dhe shtetëror”, tha Tsipras.

Tsipras theksoi gjithashtu rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës për të gjithë rajonin në kontekstin e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuptim, ai tha se duhet të rikthehet momentumi i perspektivës evropiane dhe integrimit evropian të rajonit të krijuar nga Marrëveshja e Prespës.

“Ne duhet të rikthejmë vrullin e perspektivës evropiane të krijuar nga Marrëveshja e Prespës. Marrëveshja përfaqëson një model për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Ballkanin Perëndimor, sepse dëshmoi se ekziston një rrugë drejt zgjidhjeve të pranueshme reciprokisht që mbrojnë interesat kombëtare duke promovuar paqen. Dhe nëse Bashkimi Evropian rezulton i pabesueshëm për sa i përket premtimit të tij për Ballkanin Perëndimor, për fqinjësinë e tij, atëherë ai nuk do të ketë asnjë kredibilitet si forcë gjeopolitike ndërkombëtare”, shtoi ish-kryeministri i Greqisë.

Ndryshe, në qershor të këtij viti, ish kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras i dhanë Çmimin e Paqes “Prespa” ndërmjetësuesit në negociatat për emrin Matthew Nimitz

Kujtojmë se, ndryshimi i emrit të shtetit buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve. Të dy shtetet së fundmi i kishin dëmtuar raportet bilaterale pasi presidentja Siljanovska-Davkova nuk tha emrin kushtetues të vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut, por vetëm Maqedonia, në inaugurimin në Parlamenti më 12 maj, për të cilin gjest ambasadorja greke Philippidou u largua nga salla plenare. Presidentja më pas nënshkroi deklaratën solemne në të cilën shkruhej Republika e Maqedonisë së Veriut.