Trump thotë se nuk po zhvillohen bisedime me Iranin
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se aktualisht nuk po zhvillohen negociata me Iranin, një ditë pasi dhëndëri i tij, Jared Kushner, tha se kontaktet mes Uashingtonit dhe Teheranit po vazhdojnë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Nuk po zhvillohen bisedime as nuk ka bisedime të planifikuara me Republikën Islamike”, shkroi Trump në Truth Social më 18 gusht, pasi afati 60-ditor që të dyja palët kishin për të arritur një marrëveshje përfundimtare paqeje skadoi një ditë më parë.
Trump tha se Ngushtica e Hormuzit është “e hapur dhe po funksionon” dhe se minat janë larguar, teksa Teherani tha se kjo rrugë ujore strategjike mbetet e mbyllur derisa Uashingtoni të plotësojë kushtet e caktuara në bazë të një marrëveshjeje të përkohshme të arritur në qershor.
Irani tha se në mesin e kushteve përfshihet edhe që SHBA-ja të heqë bllokadën detare dhe sanksionet kundër naftës, të zhbllokojë asetet e ngrira iraniane dhe t’u japë fund operacioneve ushtarake.
Në një postim të ndarë në Truth Social, Trump publikoi një hartë ku Ngushtica e Hormuzit cilësohej si “TERRITOR I RI I SHBA-së”, duke e shtyrë më tej një ide që e kishte hedhur për herë të parë më 14 gusht, kur tha se së shpejti do ta shpallte këtë rrugë ujore territor të SHBA-së. Zëvendësministri iranian i Punëve të Jashtme, Kazem Gharibabadi, u përgjigj më 15 gusht, duke thënë se ngushtica “do të mbetet iraniane”.
Trump iu rikthye kësaj ideje më 17 gusht, duke u thënë gazetarëve në Zyrën Ovale se do të ishte një ide e mirë, përpara se të postonte hartën të nesërmen. Gharibabadi e ripostoi hartën në X, duke e cilësuar pretendimin e Trumpit si një “iluzion” që do të korrigjohej.
Ngushtica, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë, është në qendër të mospajtimeve që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt.