Kremlini: Presidenti Putin “i gatshëm” të takojë Trumpin

Presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të takohet me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, tha sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, raporton Anadolu.

I pyetur në një konferencë shtypi në Moskë nëse Rusia vendos ndonjë kusht për një takim të tillë, Peskov tha se kërkohet vetëm interes i ndërsjellë për një takim.

“Nuk kërkohen kushte për këtë. Kërkohet një dëshirë e ndërsjellë dhe vullnet politik për t’u angazhuar në dialog dhe për të zgjidhur çështjet ekzistuese nëpërmjet dialogut”, tha ai.

Moska mirëpret synimin e presidentit të zgjedhur të SHBA-së për të zgjidhur çështjet nëpërmjet dialogut, vuri në dukje ai.

Peskov tha gjithashtu se përfaqësuesit e Trumpit nuk kanë kontaktuar ende me palën ruse, por kontaktet mund të ndodhin pas inaugurimit të tij.

Edhe Donald Trump nga ana tjetër ka njoftuar se po organizohet një takim mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin. Por, presidenti i zgjedhur i SHBA-së nuk dha asnjë afat kohor se kur mund të zhvillohet takimi.

“Ai dëshiron të takohem dhe ne po e organizojmë atë”, tha ai në një fjalim në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida. Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve Tass citon zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov të ketë thënë se SHBA nuk ka kërkuar ende zyrtarisht një takim, raporton BBC, transmeton ABC News.

Trump ka premtuar të negociojë një fund të luftës në Ukrainë menjëherë pasi të marrë detyrën më 20 janar dhe ka shprehur skepticizëm për mbështetjen ushtarake dhe financiare të SHBA-së për Kievin.

“Presidenti Putin dëshiron të takohet”, tha republikani.

Donald Trump ka emëruar Keith Kellogg, një ish-këshilltar për sigurinë kombëtare dhe gjeneral në pension në ushtrinë amerikane, si të dërguar special në Ukrainë dhe Rusi për administratën e tij të dytë.

Kellogg i prezantoi idetë e tij se si SHBA mund t’i jepte fund luftës në një punim kërkimor të botuar nga Instituti America First Policy Institute.

Ai propozoi që Ukraina duhet të marrë ndihmë të mëtejshme nga SHBA-ja vetëm nëse pranon të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Moskën.

Gazeta sugjeroi gjithashtu, megjithatë, se nëse Moska refuzon të marrë pjesë, atëherë SHBA duhet të vazhdojë ndihmën e saj për Ukrainën.