Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërëcnuar me vendosje të sanksioneve shtesë ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të sulmeve në Ukrainë, duke sugjeruar se masat do të kishin për qëllim që ta shtynin Kremlinin drejt një armëpushimi dhe në përfundimisht të arrihej një marrëveshje të paqes për t’i dhënë fund luftës që Moska nisi kundër Ukrainës më 2022, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Komentet e Trumpit vijnë në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje aleatëve që t’i bëjnë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës, me një armëpushim ajror dhe detar si hap i parë, pasi Moska kreu një sulm masiv me raketa dhe dronë që shënjestruan infrastrukturën e energjisë dhe gazit në disa rajone të Ukrainës.
“Bazuar në faktin që Rusia po e ‘shkatërron’ Ukrainën në fushëbetejë aktualisht, unë po e shqyrtoj seriozisht vendosjen e sanksioneve të mëdha bankare, tarifa ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe marrëveshje përfundimtare për paqen”, shkroi Trump në Truth Social më 7 mars.
“Për Rusinë dhe Ukrainën, uluni në tavolinën e negociatave tani, para se të jetë tepër vonë. Faleminderit”, shtoi ai.
Trump nuk dha detaje për masat e mundshme. Disa ditë pasi mori mandatin në janar ai kishte folur për mundësinë e përdorimit të “tarifave dhe sanksioneve” që Rusia të ulej në tavolinën e negociatave, por deri më tani nuk janë vendosur masa të tilla.
Deklaratat e reja janë në vazhdën e disa komenteve të bëra nga Trumpi në javët e fundit lidhur me atë se çfarë duhet të bëhet që Rusia të ulet në tavolinën e negociatave. Po ashtu, ato vijnë pas tensionimit të raporteve mes SHBA-së dhe Ukrainës, përfshirë përplasjen në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt, pas së cilës Trump tha se Zelensky nuk ishte i gatshëm për paqe.
Zelensky shkroi në rrjetet sociale më 7 mars se Rusia ka gjuajtur rreth 70 raketa lundruese dhe balistike, si dhe afër 200 dronë ndaj disa ndërtesave energjetike në Ukrainë, sulme që goditën edhe ndërtesa banimi.
Ai nuk njoftoi nëse ka viktima nga këto sulme, të cilat vijnë në kohën kur po bëhen përpjekje diplomatike për bisedime të paqes. Një delegacion nga Ukraina do të udhëtojë për në Arabinë Saudite javën e ardhshme për t’u takuar me zyrtarët amerikanë me qëllim që të punojnë për një kornizë të një marrëveshjeje për paqe.
“Hapat e parë për të arritur paqe të vërtetë do të ishin që të detyrohet burimi kryesor i kësaj lufte, Rusia, të ndalë sulme të tilla”, tha ai.
Sulmi masiv – i 30-ti që kur ka nisur lufta – është pjesë e një strategjie më të gjerë ruse për të shënjestruar infrastrukturën kritike të energjisë së Ukrainës. Në dy javët e fundit, Rusia vazhdimisht ka goditur ndërtesa të energjisë në rajonin ukrainas të Odesës.