Trump: Duhet ta kishim bërë një marrëveshje me Rusinë shumë kohë më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar edhe një herë situatën në Ukrainë, duke kritikuar mungesën e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës dhe duke paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj Rusisë, shkruan Euronews.al. 

Duke folur përpara gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara mund të vendosin tarifa dytësore ndaj Rusisë pa pasur nevojë për miratimin e Kongresit. “Tarifat mund të vendosen pa Dhomën e Përfaqësuesve dhe pa Senatin”, theksoi ai.

I pyetur për thirrjet që SHBA të vendosë një tarifë 500% ndaj Rusisë, Trump u përgjigj se “numri nuk ka rëndësi pas një pike të caktuar”, duke shtuar se një tarifë 100% do të ishte e mjaftueshme për të arritur qëllimin.

Presidenti pohoi gjithashtu se kishte ndjerë disa herë se ishte afër një marrëveshjeje me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. “Ndjeva se kishim një marrëveshje rreth katër herë. Dhe ja ku jemi ende duke folur”, tha ai. “Mendova se duhej të kishim bërë një marrëveshje shumë kohë më parë, por kjo vazhdon pa pushim.”

Trump shprehu shqetësimin për viktimat e shumta nga të dyja palët, duke shtuar se “shumë ushtarë rusë dhe ukrainas po vdesin” dhe se situata duhet të marrë fund sa më parë.