Tregime vere (3): Sheqerkat

“Dhurata e falur me buzëqeshje është dhuratë e dyfishtë!”

-Thomas Fuller

Një nga ditët kalendarike, dhunti kjo që pahetueshëm na e konsumon jetën dhe na e tregon të vërtetën e pamohueshme. Bie shi. Dhe ne, me një shok po pimë kafen e mëngjesit që ka arritur të na bëhet ritual. Një lajm të hidhur ma kumtoi ai: “Plaku i bonbonave iku nga kjo botë”. “Ai i përtejurës, i GJ2-shit, i moshuari plot nur, gazmend, në fytyrën e të cilit kurrë s’shihje zymtësi?” – pyeta veten dhe atë dhe shtova: “Të Atij jemi dhe te Ai kthehemi”.

Seç më preku fort ky haber i kobshëm. Më tronditi, sikur të kishte ndërruar jetë një anëtar i familjes. Menjëherë para syve më dilnin sekuencat reale të biçikletës me të cilën vinte në xhami dhe pasi e çonte te vendparkimi, çdoherë, ama fjalë për fjalë çdoherë, nxirrte nga xhepi ose qeska e sediljes së pasme sheqerka turlifarë dhe niste t’i shpërndajë, herë njërit në këtë bankinë, herë tjetrit në atë tjetrën, deri te dera e hyrjes në faltore. “Jo faleminderit” – ia befte dikush. “Po merre mo vëlla se s’të bën zarar, shtini n’xhep e ua çon f’mijve n’shpi!” – ua kthente ai.

Nëse harronte para hyrjes në tempull, dhuratën minimaliste me modesti që e kishte vetëm ai, e jepte në dalje, kur shpërndaheshim. Burrë xhan në plotkuptimin e fjalës. Për t’u bërë njeri, për të treguar njerëzillëk nuk do shumë mend, as post, pasuri e kapital. Mjafton aktivizimi i substancës hyjnore në ne, brenda nesh, që gjendet te çdokush si potencial, por që disa për fat të keq e kanë në komë a të vdekur.

“Negro”-t, karamelat, bonbonet e limonit, të qershisë, të vishnjës, të kakaos, kurrë nuk i mungonin. Se ku i gjente? Çfarë shprehie shembullore. I vetmuar. Të thuash se i ka përshpëritur dikush në vesh, jo, s’kishte njeri. Gruaja moti i kishte vdekur. Vetë jetonte në shtëpi. Nga i kishte lindur kjo ide dhe ku i merrte këto dhurata që na i bënte. Me gjasë blerje nga buxheti i vet modest, nga një pension që ne, brezi ynë e harxhojmë në dy-tre darka restorantesh. Me sa mirësjellje komunikonte me çdonjërin nga njerëzit.

Nganjëherë mund edhe t’ia kishin dhuruar të tjerët dhe i ky i stërdhuronte. Herë ulej te shatërvani, herë në ulëset e drunjta. Me dialektin kosovar na mbante leksione me dy-tre fjalë dhe me gjuhën e trupit. S’kishte të kryer ndonjë shkollë, ndoshta vetëm filloren. Punëtor fizik, ama kultura e tij buronte nga shpirtmadhësia e tij, nga gjithë ajo që kishte vjelur ndër vite. Doktor i antistres terapisë. Jetoi ëmbël, përhapi ëmbëlsi. Hidhëtirat i kishte eliminuar nga jeta ai njeri fisnik e bujar që ta përmirësonte ditën, që duarthatët i bënte të kenë diçka, të përtypin e të shijojnë bonbonet e tij modeste por të dhëna me gjithë zemër.

Na mungon shumë ky person që s’la pas vete trashëgimi, që s’la pasuri, por la një shprehi që i thash vetes, “Dikush nga ne duhet ta vazhdojë!” Sikur t’isha unë! Një zakon që e lumturonte atë dhe na dinamizonte edhe neve, na çelte muhabet e biseda, krijonte hare, atmosferë me t’u paraqitur nga dera e hyrjes.

Tek ai pashë provën praktike të ndikimit të dhuratës në jetën shoqërore, në rritjen e dashurisë dhe afrimit mes njerëzve, kuptimin metafizik të saj. Psikologjia sociale na tregon se të falurit diçka dikujt, qoftë edhe shumë e vockël, krijon lidhje të fuqishme ndërnjerëzore, eliminon pikëllime, brenga e distanca. Sociologët e antropologët thonë se ajo është një formë e dialogut, e shkëmbimit të ndjenjave, një tregonjës i qëllimit të mirë, një vegël e integrimit shoqëror (Eriksen, 2009: 256-257) dhe e ndërveprimit cirkular (Kanbir, 2022).

“Plaku i sheqerkave”, një “role model” i bamirësisë dhe dhuratës, ka zënë vend në zemrat e familjes së madhe ku gravitonte. Sa ditë që ka falë Zoti, ai falte, jepte, atë që kishte: ëmbëlsi, buzëqeshje dhe dashuri. Ai na mësoi se të dhuruarit mi nuk varen nga ajo se sa ke në kuletë, xhep a llogari bankiare, por sa ke në zemër! Gjithnjë konform profetikes: “Jepni dhurata, ju shtohet dashnia mes vete!” Pyetjet që duhet shtruar janë Sa dhurojmë ne? A e kemi bërë zakon këtë shprehi humane? A kemi arritur ta eliminojmë vetëpërvetizmnin, egoizmin?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.