Tre të vrarë në një sulm në Florida

Një sulm vdekjeprurës me motive raciste ka ndodhur në Florida të SHBA-së, ndërsa personi i armatosur amerikan kishte një armë me simbole naziste dhe la një manifest që thoshte se “i urrente njerëzit me ngjyrë”, njoftuan autoritetet, transmeton Anadolu.

Sherifja e Qarkut Clay, Michelle Cook, konfirmoi vdekjen pas një sulmi në një dyqan në Kings Road në Jacksonville të Floridas.

Oficerët e policisë janë në zonën pranë Universitetit Edward Waters, një universitet i vogël historikisht me pjesëtarë të komunitetit afroamerikan.

Kryebashkiakja Donna Deegan i tha stacionit televiziv “WJXT” se viktima të shumta gjendeshin brenda një dyqani, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Kjo është e papranueshme. Një e shtënë është shumë, por këto të shtëna masive janë vërtet të papranueshme”, tha ajo.