Tre të akuzuar u dënuan me gjithsej 12 vjet burgim për sulmin ndaj KQZ-së në veri të Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë Millun Millenkoviq – Llunen, Aleksandar Vllajiqin dhe Dejan Pantiqin për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022, raporton Radio Evropa e Lirë.

Millenkoviq – Llune dhe Vllajiq janë dënuar me nga pesë vjet burgim, ndërsa Pantiqi me dy vjet burgim.

Miomir Vakiq është liruar nga akuzat, sepse nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale.

Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj këtyre katër personave dhjetor të vitit 2023 për veprën penale “akt terrorist”.

Ata akuzoheshin se kanë sulmuar zyrat e KQZ-së me bomba dore dhe mjete shpërthyese, me qëllim – siç thuhet në aktakuzë – “destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”. Sipas prokurorisë, nga ky sulm janë rrezikuar seriozisht jetët e zyrtarëve të KQZ-së dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Millenkoviqit dhe Vllajiqit do t’iu llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Pantiq dhe Vakiq janë mbrojtur në liri. Në seancën e parë, të mbajtur në fund të janarit 2024, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Asnjëri prej të akuzuarve nuk ka qenë në sallën e gjyqit të hënën. Ata kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se e mirëpret vendimin e marrë në gjykatë.

“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe dërgon një mesazh se aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohen”, është thënë në një reagim të Prokurorisë në Facebook.

Predrag Milkoviq, avokati i Millun Millenkoviqit, e ka quajtur “katastrofal” aktgjykimin ndaj klientit të tij dhe ka paralajmëruar se do të bëjë ankesë.

“Kemi shkelje thelbësore të procedurës, për shkak të dëshmitarëve që u propozuan papritur gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe u morën në pyetje në atë fazë. Prokuroria ka qenë në dijeni për ta që në kohën e ngritjes së aktakuzës, por duket se i ka fshehur me vetëdije nga mbrojtja gjatë fazës hetimore, vetëm për të futur një ‘hile të fshehur’ në proces”, u tha ai gazetarëve.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë si të pabazuar në prova apo dëshmi kredibile, dhe e ka përshkruar procesin si të montuar politikisht dhe si një shembull të keqpërdorimit klasik të drejtësisë nga ana e Albin Kurtit – referencë për kryeministrin në detyrë të Kosovës.