TIFF ODA sjell emocione të reja filmike sot në ditën e gjashtë të festivalit

Në hapësirat e I.N Qendra e Kulturës “ILO ANTESKI- SMOK- Tetovë, vazhdon të mbahet edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit TIFF ODA. Sonte zhvillohet nata e gjashtë e festivalit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore që po i jep qytetit një atmosferë të veçantë artistike. Prej disa ditësh, ky festival ka mbledhur në një skenë të vetme kineastë, regjisorë dhe artdashës nga vende të ndryshme, duke e kthyer Tetovën në një pikëtakim për kinematografinë vendore dhe ndërkombëtare, shkruan Portalb.mk.

Programi i ditës së sotme do të sjellë një përzgjedhje të larmishme filmash artistikë e dokumentarë, të cilët trajtojnë tema aktuale dhe histori njerëzore frymëzuese. Përveç shfaqjeve filmike, të pranishmit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në diskutime dhe takime me autorë e profesionistë të industrisë, duke krijuar hapësira të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimi idesh.

Gjatë ditës së sotme do të shfaqen këto filma:

  • A Short Trip-France-Erenik Beqiri-17’
  • The Van-France, Albania-Erenik Beqiri-15’
  • Sea Me-A Life in Silence-Bulgaria, Romania, Ukraine-Lyubo Yonchev-30’
  • Mushrooms Grow In Memory-North Macedonia-Hanis Bagashov-11’

Ndërkaq në mbrëmje me fillim nga ora 20:00 do të shfaqet filmi “Gülizar” nën regji të Belkis Bayrak. Filmi “Gülizar” është filmi i parë me bashkëprodhim Turqi-Kosovë, i xhiruar në Turqi dhe Kosovë. Filmi tregon historinë e një gruaje që shkon në një udhëtim nga Turqia në Kosovë për t’u martuar.

Nesër në natën e fundit do të ndahen edhe çmimet e festivalit, 44 filma janë shfaqur gjatë këtyre ditëve, ndërsa 34 prej tyre do të garojnë për çmimet kryesore në pesë kategori; Cine Balkan Panorama, Anorama, Short Fiction, Short Documentary, Short Animation dhe Student Film.

Filmi “Koma”, me regji të Agim Abdulla nga Maqedonia e Veriut, do ta mbyllë festivalin TIFF ODA. Tematikë e këtij filmi është takimi i dy shokëve, Afrimit dhe Kenanit të cilët takohen pas shumë vitesh duke ringjallur kujtimet e fëmijërisë. Fatkeqësia që pëson Afrimi e vë Kenanin në një situatë shumë të vështirë. A do të jetë Kenani i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për të qëndruar pranë miqve të tij të fëmijërisë. Tani, të dy janë në kërkim të kujtimeve, por në forma të ndryshme!

Me çdo natë, TIFF ODA po dëshmon se është jo vetëm një festë e filmit, por edhe një platformë që nxit krijimtarinë, forcon bashkëpunimin kulturor dhe sjell më afër publikut kinemanë e nivelit ndërkombëtar.