Tetovë, shkolla “Liria”, spitali, stadiumi janë testuar por ende nuk dihet sa janë të qëndrueshme ndaj tërmeteve, Komuna e pret raportin në fund të muajit

Ende nuk ka një elaborat të saktë që të tregojë se sa të qëndrueshme janë objektet publike, kolektive dhe ato të trashëgimisë kulturore në territorin e Komunës së Tetovës. Udhëheqësi i sektorit të urbanizmit në Komunën e Tetovës, Rilind Selmani, thotë se janë në përpilim të raportit final për punën gjashtë-mujore në terren, i cili pritet t’i dorëzohet fillimisht Komunës së Tetovës, në fund të muajit korrik, shkruan Portalb.mk.

Raporti final për vlerësimin e qëndrueshmërisë së objekteve në Tetovë ndaj tërmeteve pritet të publikohet në fund të këtij muaji.

Udhëheqësi i Sektorit të Urbanizmit dhe menaxhimit me tokën ndërtimore në Komunën e Tetovës, Rilind Selmani thotë se pas përpilimit të raportit final do të dihen saktësisht se cilat objekte publike janë më të qëndrueshme ndaj veprimeve sizmike, dhe cilat jo.

Nga Komisioni i ndërtimtarisë i cili përbëhet nga pesë anëtarë, dy të punësuar në Komunën e Tetovës dhe tre të jashtëm, njoftuan shkurtimisht për Portalb.mk se gjatë kësaj periudhe gjashtë-mujore është kryer inspektimi i shkollave fillore, ndër dhe Shkolla Fillore “Liria” si një nga më të vjetrat në qytet. Gjithashtu, janë inspektuar një pjesë e objekteve të spitalit të Tetovës, stadiumi i qytetit, dhe të tjera.

Kujtojmë se anëtarët e Këshillit Komunal të Tetovës në janar të këtij viti miratuan vendimin me të cilin u formua Komision i cili do të kryente vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit ndaj veprimeve sizmike të objekteve publike, kolektive si dhe objekteve të trashëgimisë kulturore në territorin e Komunës së Tetovës.

Objektet private ishin gjithashtu pjesë e debatit, por për ato ende nuk dihet se a do të inspektohen sepse në gjashtë mujorin e parë do të bëhet vetëm inspektim ndaj objekteve kolektive publike dhe ato të cila janë të mbrojtura nga trashëgimia kulturore.

• LEXO: Nuk dihet se sa të qëndrueshme janë objektet ndaj tërmeteve në Tetovë, komuna formoi komision vlerësimi

Vetëm para tre ditëve një tërmet me magnitudë prej 2 shkallëve sipas Rihterit u regjistrua në rajonin e Shkupit. Më i forti për këtë vit qe më 12 janar, prej 3.8 gradësh ndërsa dy ditë më vonë me 14 janar tërmeti prej 4.5 shkallësh që ndodhi në Shqipëri u ndje edhe në disa qytete të Maqedonisë së Veriut.