Tetovë, përmes aplikacionit TE KLIK mund të paguani parkingun dhe tatimin
Nga sot është lëshuar në funksion aplikacioni TE KLIK përmes të cilit qytetarët mund të paguajnë parkingun dhe tatimin në pronë, raporton Portalb.mk.
Përmes aplikacionit qytetarët mund të shohin nëse ka vendparkime të lira, gjithashtu mund të shohin vendet potenciale për sa kohë do të lirohen.
Qytetarët do mund të verifikojnë edhe nëse një veturë ka kryer ose jo pagesën e parkingut.
Te tatimi në pronë qytetarët do mund të shohin dhe të shkarkojnë vendimet, mund të shihen pronat dhe vlerat e pronave të tyre.
“Ky aplikacion mundëson qytetarët të kryejnë pagesat dhe verifikimet nga telefoni i tyre, pa radhë, pa stres dhe në çdo kohë”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Aplikacioni mund të shkarkohet në App Store dhe Play Store.
Ky aplikacion është krijuar nga Arlind Pajaziti i cili është i angazhuar në Komunën e Tetovës me kontratë për këtë punë.
Kujtojmë se në Tetovë kaosi në trafik mbetet problem i pazgjidhur, kryesisht për shkak të mungesës së vendparkimeve.
Momentalisht në qytet sipas kreut të komunës ka rreth 1400 vendparkime.
Kasami nuk arriti që brenda mandatit të tij t’i ndërtojë parkingjet në kate të cilat i premtoi para zgjedhjeve.