Jo, Ukraina nuk dëshiron të shkaktojë një luftë të tretë botërore, as nuk është në zhvillim një luftë e tillë
Që nga fillimi i pushtimit ushtarak agresiv të Rusisë ndaj Ukrainës, propaganda e Kremlinit në disa raste është përpjekur t’i shtrembërojë faktet, përkatësisht të imponojë një sërë justifikimesh për sulmet e saj. E vërteta është se pikërisht Rusia kreu një pushtim ushtarak të paprovokuar ndaj Ukrainës, më 24 shkurt 2022. Ukraina, si shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet, ka të drejtë të mbrohet dhe të përdorë mjetet e ndihmës të ofruara nga miqtë e saj. Nëse nuk do ta bënte këtë, atëherë do të përballej me pretendime territoriale edhe më të mëdha nga ana e Rusisë, shkruan Vërtetmatësi.
Ne po analizojmë një postim në Facebook i cili thotë:
UKRAINASIT, SIPAS SHEMBULLIT TË HITLERIT, PO SHKAKTOJNË NJË LUFTË TË TRETË BOTËRORE… AJO PO ZHVILLOHET DHE ËSHTË NË VIJIM… MEGJITHATË, ATA DUAN TA BËJNË EDHE ZYRTARE.
Pretendimi se ukrainasit, sipas shembullit të Hitlerit, duan të shkaktojnë Luftën e Tretë Botërore dhe se ajo tashmë është në zhvillim, është në të njëjtën linjë me fushatën propagandistike ruse se Rusia po lufton me NATO-n, e jo me Ukrainën, dhe se Perëndimi është ai që dëshiron të shkaktojë një luftë botërore.
Krahasimi i Ukrainës me Gjermaninë naziste, ashtu si edhe krahasimet e Zelenskit me Hitlerin, duke pretenduar se Ukraina dëshiron të shkaktojë një luftë botërore, janë plotësisht të pabazuara dhe rrëzohen nga faktet historike.
Ato tregojnë se Adolf Hitleri e nisi Luftën e Dytë Botërore me pushtime agresive ndaj shteteve të tjera. Ukraina, përkundrazi, nuk ka sulmuar shtete të tjera, por është ajo e sulmuar nga Rusia. Pra, paralelja me Hitlerin është një ndërtim propagandistik, e jo realitet.
Teoriticienët e konspiracionit dhe propagandistët rusë vazhdimisht përpiqen ta paraqesin presidentin e Ukrainës si neonazist ose simpatizues nazist, megjithëse Zelenski është hebre dhe tre xhaxhallarët e tij humbën jetën në Holokaust.
Duke komentuar këto akuza, Zelenski në një rast deklaroi se Moska “po ndjek të njëjtin koncept të Gebelsit dhe ata po përdorin të njëjtën metodologji” në përpjekje për ta justifikuar luftën kundër Ukrainës.
Nuk është hera e parë që në rrjetet sociale përhapen narrativa se Ukraina është naziste dhe fashiste, se atje glorifikohet nazizmi (neonazizmi), si dhe se Zelenski është nazist. Kjo bëhet gjithçka me qëllim të justifikohet agresioni rus ndaj këtij shteti sovran që zgjat më shumë se tre vjet.
Pretendimi se Ukraina dhe mbështetësit e saj, para së gjithash NATO dhe BE, duan Luftën e Tretë Botërore dhe se ajo tashmë ka filluar, po ashtu është pjesë e propagandës së Kremlinit. Sipas retorikës ruse, Perëndimi përmes sanksioneve dhe furnizimeve me armë tashmë e ka futur Rusinë në një luftë të tretë botërore.
Siç vëren EUvsDisinfo, narrativa se “mbështetja financiare për Ukrainën nga ana e vendeve të BE-së është në fakt dëshmi se BE dëshiron që lufta të vazhdojë” është tashmë një tregim i shfrytëzuar si dezinformim, pavarësisht faktit që lufta në Ukrainë është përgjegjësi e Rusisë, e cila e nisi pushtimin ushtarak të paprovokuar.
Që nga fillimi i pushtimit ushtarak agresiv të Rusisë ndaj Ukrainës, propaganda e Kremlinit në disa raste është përpjekur t’i shtrembërojë faktet, përkatësisht të imponojë një sërë justifikimesh për sulmet e saj. E vërteta është se Rusia është ajo që kreu një pushtim ushtarak të paprovokuar ndaj Ukrainës, më 24 shkurt 2022. Të pritej nga Ukraina të rrinte duarkryq do të nënkuptonte që qytetarët e saj pranonin të pushtoheshin dhe t’u merrej territori nga Rusia, gjë që nuk ndodhi. Ukraina, si shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet, ka të drejtë të mbrohet dhe të shfrytëzojë mjetet e ndihmës nga miqtë e saj. Nëse nuk do ta bënte këtë, atëherë do të përballej me pretendime territoriale edhe më të mëdha nga ana e Rusisë.
Nuk është e saktë as pretendimi në postim se Lufta e Tretë Botërore tashmë është në zhvillim. Zyrtarisht, nuk është shpallur një luftë botërore. Lufta në Ukrainë është një konflikt rajonal me pasoja globale: sanksione, krizë energjetike, përplasje gjeopolitike dhe rrezik eskalimi. Rreziku është real, por nuk ekziston një skenar zyrtar i një konflikti global të tipit të Luftës së Dytë Botërore.
Teza se “Ukraina, sipas shembullit të Hitlerit, po shkakton Luftën e Tretë Botërore” nuk mbështetet me fakte. Realiteti është se aktualisht kemi një luftë rajonale me pasoja globale, por jo një luftë botërore të shpallur zyrtarisht.
Nga e gjithë kjo që u tha më sipër, mund të përfundojmë se postimi që po analizojmë është i pavërtetë.