Kërçova do ta shënojë Ditën e Alfabetit Shqip me manifestim tradicional
Të shtunën më 22 nëntor, me fillim nga ora 17:00, NQK “Koço Racin” në Kërçovë do të organizojë manifestimin tradicional me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, shkruan Portalb.mk.
Ky manifestim kulturor-artistik është një festë e gjuhës, dijes dhe kujtesës sonë të përbashkët kombëtare. Dita e Alfabetit Shqip nuk është vetëm një datë historike ajo është ditëlindja e gjuhës së shkruar, drita e mendimit e mësimit, kujtesa e Manastirit të vitit 1908, ku dijetarët shqiptarë bashkuan alfabetin dhe vendosën themelet e përbashkëta të gjuhës sonë.
Në këtë manifestim do të interpretojnë nxënësit e shkollave fillore dhe asaj të mesme të qytetit të Kërçovës:
• SHMK “Drita” – Kërçovë
• SHFK “Sande Shterjoski” – Kërçovë
• SHFK “Rexhë Rushit Zajazi” – Zajaz
• SHFK “Faik Konica” – Greshnicë
• SHFK “Milto Gurra” – Garanë
• SHFK “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Sërbicë
• SHFK “Naim Frashëri” – Jagoll–Tuhin
Si dhe nga artistët e Shkollës së Valleve Popullore dhe orkestrës pranë Qendrës së Kulturës Kërçovë, nën udhëheqjen e koreografëve Avni dhe Xheneta Zeneli dhe profesorit të muzikës Burim Mehmedi.
“Përkrahja nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe përkushtimi i të gjithë të angazhuarëve paralajmërojnë këtë vit një performancë të denjë për festën e gjuhës dhe identitetit tonë”, bëjnë të ditur nga Qendra për Kulturë Koço Racin- Kërçovë.