Tetova me mungesë të ujit të pijshëm për shkak të ndotjes së burimit

Qyteti i Tetovës në këto temperatura të larta ka mungesë të ujit të pijshëm, për shkak të ndotjes së ujësjellësit të Leshnicës, njofton TV21. Nga Ndërmarrja Publike “Sharri” thonë se për momentin Tetova furnizohet me 350 litra ujë në sekond. Lulzim Shaqiri thotë se uji në Leshnicë për shkak të reshurave është i ndotur ndërsa bën apel që uji të përdoret me më shumë kujdes, që të gjithë qytetarët të kenë ujë të pijshëm.

“Për shkak të reshjeve që ndodhën ditën e shtunë kishte rënim të tokës që ndoti burimet e hapura të Krivishies dhe Leshnicës. Sasia e ndotjes u rrit dhe nuk patëm mundësi që të fusim këtë ujë në sistemin e ujit të pijshëm dhe nuk na lejohet ta fusim. Nga ujësjellësi për momentin qyteti furnizohet me 350 litra ujë por për shkak të temperaturave të larta edhe shfrytëzimit të pakontrolluar të qytetarëve kemi problem me furnizim në disa pjesë të qytetit”, deklaroi Lulzim Shaqiri- NPK “Sharri”.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut në rajon është një nga vendet me humbjet më të mëdha të ujit dhe është rreth 63 përqind në nivel të gjithë vendit, tha kryetari i Komisionit Rregullatot për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimoski. Ai thotë se humbjet e mëdha të ujit janë para së gjithash për shkak të numrit të madh të improvizimeve në këtë sektor, por edhe mungesës së investimeve në infrastrukturë dhe përmirësimit të saj.