Tensionet në Kuvend, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi dënon ashpër përshkallëzimin e gjuhës fyese dhe të dhunshme ndaj grave
Pas debateve të fundit dhe tensioneve si dhe ofendimeve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kanë reaguar nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, të cilët e dënojnë qasjen e tillë dhe bëjnë thirrje që deputetët të përmbahen nga gjuha e papërshtashtme, raporton Portalb.mk.
Nëse dhuna në Kuvend pranohet, heshtet ose relativizohet, atëherë çfarë sjelljeje presim nga fëmijët? Pyesin nga Rrjeti, duke thënë se institucionet e humbin legjitimitetin për të kërkuar mosdhunë nga të rinjtë nëse vetë prodhojnë, normalizojnë dhe legjitimojnë dhunën.
“Veçanërisht shqetësues është përdorimi i cilësimeve poshtëruese me bazë gjinore ndaj grave në politikë, por edhe fakti që një gjuhë e tillë përdoret edhe nga vetë gratë. Organizatat feministe luftuan për dekada për më shumë gra në Kuvend, në Qeveri dhe në pozita të tjera vendimmarrëse. Ato luftuan që gratë të jenë zëri i atyre që janë të përjashtuar, të përfaqësojnë nevojat e të gjitha grave dhe të sjellin më shumë barazi, solidaritet dhe përgjegjësi në politikë. Ne nuk luftojmë që gratë të zënë vende në institucione për të marrë përsipër aspektet më të këqija të kulturës politike shoviniste dhe për t’i drejtuar ato kundër grave të tjera”, thonë nga Rrjeti.
Kujtojmë se Kuvendi vetëm pak ditë më parë promovoi Kodin e ri të Sjelljes Etike, duke e cilësuar atë si themeli i kulturës së re parlamentare. Kodi kërkon respekt të ndërsjellë, debat të argumentuar dhe shembull personal, ndalon gjuhën shoviniste dhe obligon që fjalimet të mos nxisin urrejtje, intolerancë apo dhunë, përfshirë edhe atë mbi bazë gjinore.
Ndërkaq vetëm pak ditë pas kësaj, në Kuvend janë parë sjellje që janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet për të cilat Kuvendi u mburr publikisht.