“Të rinjtë e papjekur”: Pse radikalizohen? (I)

Ditëve të fundit opinionit europian dhe atij ndër ne iu liferua lajmi i një të riu shqiptaro-austriak, me prejardhje nga Gostivari i RMV-së që me dy të rinj të tjerë, kishte bërë përgagitje për sulm terrorist në një koncert të muzikës pop që nga mediat ishte cilësuar si ‘aktivitet seizmik’. “Sulmi i planifikuar terrorist u zbulua nga autoritetet austriake, të cilat arrestuan tre të dyshuar adoleshentë – të moshës 17, 18 dhe 19 vjeç – për përgatitjen e një sulmi islamist në qytetin e Vjenës, në shfaqjet e Swift-it që ishte ‘fokusi’ i komplotit.” – shkruante “The Guardian” i 22 gushtit.

Fenomeni i radikalizimit të të rinjve me përkatësi islame në gjeografi të ndryshme është aktual qe disa dekada, në veçanti pas 11 Shtatorit dhe Pranverës Arabe, gjegjësisht pas shfaqjes së ISIS-it si një entitet me emërtim tërheqës për “fetarët ëndërrimtarë” që kërkojnë jetësimin e shtetit ideal dhe të rënies dëshmor për një kauzë sublime superiore duke fituar prehjen eternale në parajsën hyjnore ku s’ka brenga dhe probleme si të kësaj bote. Është interesant fakti se kjo nuk ndodh vetëm në vendet islamike, pra në tokat ku islami është dominant, por edhe në hapësirat jomuslimane, gjegjësisht në vendet perëndimore, nga Amerika deri në shtetet europiane, ku kohëve të fundit është formuar një diasporë apo komunitet islamik i stërmadh, shumënacional dhe shumëkulturor, me emëruesin e përbashkët “Islamin” si fe hyjnore dhe mënyrat e jetesës poshtë-lart islamike që dallojnë nga lifestyle oksidental.

Dhe aty, pra në vendet pritëse, që “besimtarët e vërtetë”, dallues edhe nga komuniteti musliman, e quajnë “territori i luftës” (daru’l-harb), përderisa brezi i parë ka shikuar shpëtimin dhe përparimin dhe ka luftuar për mbijetesën materiale-ekonomike dhe politike, meqë ka pasur edhe ikanakë e disidentë që s’kanë guxuar të kthehen në vendin amë, brezi i dytë dhe i tretë, dalëngadalë po bëhen pjesë e shoqërisë ku gravitojnë, që shkon nga bashkejetesa normale/e natyrshme deri vetëgeoizimi në njërin skaj deri te asimilimi total, në raste të caktuara edhe me hip-hope emocionale dhe kthime kah esenca, kah vetja, kah uni origjinal kulturor, ku feja përbën një element krucial. Ndonëse në një hapësirë kulturore e politike tjetërfare, familjet e shpëngulura atje, në Francë, Gjermani, Austri, Zvicër, Belgjikë, Suedi e gjetiu në vendet tej-Atlantike, pos bukës, fëmijëve u falin edhe spiritualitet që herë merret prej tyre e herë nga edukimi alternativ nëpër qendrat kulturore, tempujt ku kurbetqarët apo (e)migrantët, refugjatët shkojnë ditëve të uikendit ose edhe më shpesh. Sot kësaj duhet shtuar edhe hapësirën digjitale ku kumtohet apo propagohet feja në versione të ndryshme, nga ai konvencional, deri te versionet më radikale, më ekstreme dhe më intolerante. Kështu shumë familje si pasojë e faktorëve të ndryshëm s’kanë më kontroll, faktikisht e humbin luftën me fëmijët e vet për t’i mbajtur brenda normales, pra të mbetesh vetja pa u asimiluar, pa u shkrirë, por edhe të mos kalosh në ujëra rëndë të notueshme në shekullin XXI kur talibanizimi apo IS-isizimi nuk të çon askund.

Në mjedise ku flitet dhe jetësohen vlerat si të drejtat e njeriut, toleranca dhe demokracia si ka mundësi që të shfaqen fenomene si ai “Ernst Happel”? Në Vjenë, i ri 19 vjeç dhe IS! Si të shpjegohet kjo në aspektin psikologjik dhe sociologjik? Ndjesia e të qenët ndryshe nga mazhoranca vendëse mund të jetë një faktor që në botën apo qenien e ardhacakut krijon një sens për t’u shkëputur nga tjetri edhe nacional edhe religjioz, që konsiderohet blasfemik, e keqe sociale, ndonëse libri i shenjtë diversitetin e quan natyrshmëri: “Sikur të donte Zoti do t’ju bënte një komunitet të vetëm!” (Kur’ani, 5:48) Ky sens mund të jetë ngjallur edhe nga mjedisi familjar për të mbajtur brenda gardhit vetjak fëmijën, duke e bindur atë se “jobesimtarët”  nuk na duan, se ne jemi këtu “gjak i huaj” dhe se duhet të kemi parasysh faktin se njerëzimi ndahet në besimtarë (muslimanë) dhe jobesimtarë (jomuslimanë). Ky është një lloj socializimi përjashtues që lë pasoja në personalitetin e fëmijës sa të jetë gjallë. Faktori tjetër mund të jetë ekstern, pra sociologjik: përjashtimi nga komuniteti pritës, përbuzje për shkak të emrit dhe fesë, për shkak të bëmave violente të muslimanëve anekënd botës, propaganda globale islamofobike që muslimanin e bën “mish për top” kudo që ai paraqitet. Një bullizim në shkollë apo në vendin e punës, ndalimi i shamisë së motrës, nënës në institucionet publike, atakimi ndaj simboleve fetare si djegia e Kur’anit në vende publike, fushatat për ndalimin e xhamive, moslejimi i ezanit, hedhja e derrave nëpër tempuj islamikë, fushatat ultra-djathtiste antimigrante dhe raciste të politikanëve anekënd Perëndimit ndikojnë fuqishëm në formimin e individualiteteve të këtilla juvenile që në një moment të caktuar shpërthejnë në lokacione të ndryshme. Politika ndërkombëtare dhe inferioriteti i muslimanëve, dhuna dhe masakrat e ushtruara ndaj tyre si “Rasti Gaza” apo konflikti palestinezo-izraelit përbëjnë gjithashtu një element shtytës drejt përgatitjes së “njerëzve bomba” qoftë edhe nëpër metropole ku mendohet se është krijuar “shoqëria e mirëqenies dhe rehatisë”. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.