“Të pavarurit së bashku” e promovuan Biljana Ivanovskën si kandidate për kryetare të Komunës Qendër
“Të pavarurit së bashku” promovuan Biljana Ivanovskën, ish-kryetare të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si kandidate të tyre për kryetare të Komunës Qendër. Platforma qytetare përbëhet nga iniciativat “Shans për Qendrën” dhe “Të Gjelbrit nga Gazi Baba” dhe aktualisht është në fazën e mbledhjes së nënshkrimeve për të themeluar një parti politike me qëllim pjesëmarrjen në zgjedhje, transmeton Portalb.mk.
Në një konferencë për shtyp sot, ata u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që pajtohen me pikëpamjet e tyre t’u bashkohen.
“Vlerat që ne përfaqësojmë janë demokracia e decentralizuar dhe pjesëmarrja qytetare, qëndrueshmëria ekonomike, ekologjike dhe sociale, drejtësia, paanësia dhe antikorrupsioni dhe vlerat njerëzore”, tha Jana Belçeva nga Shans për Qendër.
Ivanovska tha vendimin për të kandiduar për kryetare të Komunës Qendër e mori për shkak të qytetarëve të saj, me të cilët ndan të gjitha problemet me të cilat përballen edhe ata.
“Ne ndajmë të njëjtin ajër, i cili nuk është vetëm i ndotur me grimca PM, por edhe me korrupsion dhe politika të këqija që janë të dëmshme për qytetarët. Drejtësia, integriteti dhe përgjegjësia janë vlera që i kam ndjekur gjatë gjithë jetës sime dhe të cilat do t’i përfshij në politika krijuese për të siguruar një komunë më të mirë dhe më të shëndetshme”, tha Ivanovska.
Ajo njoftoi se do ta bazonte fushatën në tre shtylla, e para është përgjegjësia, llogaridhënia dhe transparenca, pastaj përfshirja, dhe shtylla e tretë është bashkimi dhe solidariteti.
“Ne do të përqendrohemi në gjetjen e zgjidhjeve, jo të akuzave. Interesi i komunitetit duhet të vijë gjithmonë përpara individit, dhe vizioni im është që komuna Qendër t’u përkasë qytetarëve”, theksoi Ivanovska.
Javën e kaluar, iniciativat qytetare filluan mbledhjen e nënshkrimeve për të formuar parti pasi partitë në pushtet dhe opozita i penguan bashkërisht të merrnin pjesë në zgjedhje si iniciativa qytetare. Për të formuar një parti, nevojiten 1,000 nënshkrime nga i gjithë territori i vendit.
Ata thanë sot se pavarësisht këtij vendimi nga KSHZ-ja, po vazhdojnë të mbledhin nënshkrime sepse pasiguria mbetet.
Parti e përbashkët do të formohet nga iniciativat qytetare “Shans për Qendrën”, “Të Pavarurit për Karposhin” dhe “Të Gjelbrit e Gazi Babës”. Partia do të quhet “Të pavarurit së bashku” dhe, siç thonë ata, kjo është e vetmja mënyrë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet në komuna. Një parti e veçantë do të formohet nga iniciativa qytetare “Qyteti i Gjelbër Human” (QGjH). Partia do të mbajë të njëjtin emër, “Qyteti i Gjelbër Human”, dhe siç thonë ata, vendosën të formojnë parti sepse Kodi Zgjedhor nuk do t’i lejojë ata të marrin pjesë në zgjedhjet lokale si kandidat i pavarur, pavarësisht faktit që Gjykata Kushtetuese mbajti anën e tyre dhe bëri thirrje për pluralizëm politik.
Përndryshe. kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.