Ish-kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska do të jetë kandidate e të pavarurve për kryetare në Komunën Qendër

Iniciativat qytetare të Platformës “Të Pavarurit së bashku” prezantuan Biljana Ivanovskën si kandidate të pavarur për kryetare të Komunës Qendër. Ajo ka qenë kryetare e Antikorrupsionit, transmeton Portalb.mk.

Ivanovska mbështetet nga iniciativat “Shans për Qendrën”, “Të Gjelbrit për Gazi Babën” dhe iniciativa qytetare “398”.

Ivanovska do të mbajë konferencë për shtyp nesër, të enjten – 14.08.2025, për të shpallur kandidaturën e saj në zonën përpara shatërvanit Lotus në hyrje të Parkut të Qytetit në orën 09:30.

Javën e kaluar, iniciativat qytetare filluan mbledhjen e nënshkrimeve për të formuar parti pasi partitë në pushtet dhe opozita i penguan bashkërisht të merrnin pjesë në zgjedhje si iniciativa qytetare. Për të formuar një parti, nevojiten 1,000 nënshkrime nga i gjithë territori i vendit.

Ata thanë sot se pavarësisht këtij vendimi nga KSHZ-ja, po vazhdojnë të mbledhin nënshkrime sepse pasiguria mbetet.

Parti e përbashkët do të formohet nga iniciativat qytetare “Shans për Qendrën”, “Të Pavarurit për Karposhin” dhe “Të Gjelbrit e Gazi Babës”. Partia do të quhet “Të pavarurit së bashku” dhe, siç thonë ata, kjo është e vetmja mënyrë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet në komuna. Një parti e veçantë do të formohet nga iniciativa qytetare “Qyteti i Gjelbër Human” (QGjH). Partia do të mbajë të njëjtin emër, “Qyteti i Gjelbër Human”, dhe siç thonë ata, vendosën të formojnë parti sepse Kodi Zgjedhor nuk do t’i lejojë ata të marrin pjesë në zgjedhjet lokale si kandidat i pavarur, pavarësisht faktit që Gjykata Kushtetuese mbajti anën e tyre dhe bëri thirrje për pluralizëm politik.

Përndryshe. kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.