Të paktën 16 persona kanë humbur jetën pas një rrjedhje gazi në Johanesburg

Të paktën 16 persona kanë vdekur, në mes të tyre edhe 3 fëmijë nga rrjedhja e gazit helmues nga një cilindër afër Johanesburgut në Afrikën e Jugut. Shërbimet e urgjencës kanë thënë se tragjedia me siguri është e ndërlidhur me aktivitetet e paligjshme të minierave raporton Guardian, transmeton Portalb.

Fillimisht, Shërbimet e urgjencës publikuan se deri më 24 persona mund të kenë vdekur në lagjen Angjelo të Boksburgut. Por, policia dhe kryeministri i provincës Gauteng, Panjaza Lesufi pas numërimit të viktimave deklaruan se numri i të vdekurve është 16. Policia tha se 3 fëmijët e vdekur janë të moshës një, gjashtë dhe pesëmbëdhjetë vjeçare. Ndërsa 2 persona janë dërguar në spital për mjekim.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende duke punuar në zonë, duke u përpjekur që ta përcaktojnë numrin e viktimave.

Zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës, William Nthaldi tha se informacionet fillestare nga autoritetet janë se gazi në cilindra po përdorej nga minatorët në mënyrë të paligjshme për të përpunuar arin në një objekt.

Rrjeti i gjerë i minierave të arit të papërdorura në Johanesburg, përdoret “nga persona që duan ta provojnë fatin e tyre” me shpresë se do të gjejnë ari i cili pastaj do të përpunohet mbi tokë.

Sipas një raporti të Komisionit të të drejtave të njeriut në Afrikën e Jugut, rreth 30,000 minatorë të paligjshëm punojnë në Afrikën e Jugut dhe me qindra kanë vdekur si pasojë e shembjeve të minierave, rrjedhjeve të gazit dhe konflikte në mes të minatorëve të paligjshëm dhe punëtorëve të punësuar nga pronarët e minierave.

William Nthaldi konfirmoi se ngjarja vdekjeprurëse është pasojë e rrjedhjes të një cilindër gazi i cili është ruajtur në një kasolle afër lagjes  Angjelo, mirëpo rrjedhja është ndaluar dhe ekipet  ende janë në kërkim për më shumë viktima në një radius prej 100 metrash rreth cilindrit.

Rritja e minierave ilegale është për shkak të shkallës së papunësisë dhe rënies së industrisë të minierave si pasojë e mungesës të rezervave, rënies të çmimit të mallrave, rritjes të shpenzimit të punësimit dhe furnizimeve të pasigurta të energjisë elektrike.