Të jesh person me aftësi fizike të veçanta në RMV

Shkruan: Refik Ajeti

Mirë se vini në vendin ku për punësimin e personave me aftësi fizike të veçanta, kërkohet nivel i caktuar akademik, ndërsa faktet aktuale flasin se, mungojnë hapësira dhe kushte të volitshme edhe për mbarimin e arsimit fillorë, e as që bëhet fjalë për arsimim universitar.

Mirë se vini në vendin ku, personat me aftësi fizike të veçanta vërehet se janë pjesë e kësaj shoqërie vetëm një herë brenda 4 viteve, ndërsa sapo të mbarojnë interesat personale të kandidatëve që pretendojnë të na udhëheqin përgjatë 4 viteve, si në pushtetin lokal po ashtu edhe në pushtetin qendror, të njëjtët vetëm se të shëtisin derë më derë derisa të arrish të mbarosh një çështje elementare, ndërsa thirren se janë duke u munduar për lehtësime në të gjitha nivelet e jetës shoqëroro-sociale, jetë e cila pretendojnë se të mundëson jetesën “normale”, jetesë e cila të lejon të gëzosh të drejtën e pjesëmarrjes në jetën publike, por deri në një nivel të caktuar, deri sa nuk ua turbullon ujin interesave dhe mundimit të tyre për përmirësimin e aspekteve jetësore në çdo fushë të mundshme.

Mirë se vini në vendin ku një person me aftësi fizike të veçanta, duhet të merr leje apo një vërtetim nga mjeku specialist për të pasur mundësi t’i gëzojë një palë këpucë ortopedike që ia lejojnë në mënyrë të kufizuar të gëzoj faktin se mund të del për një kafe në vendbanimin e tij, ngaqë për t’u ngjitur shkallëve të atij lokali ku dëshiron të freskohet në vapën e verës, as që bëhet fjalë, ngaqë pronarët kanë krijuar bindjen se personi i tillë s’duhet të pijë kafe.

Mirë se vini në vendin, ku disa kategori njerëzish edhe pse e dinë se janë të liruar nga participimi i shërbimeve shëndetësore dhe nevojave të tyre super personale, përsëri detyrohen të shëtisin derë më derë secilin muaj për të nxjerrë një dokument përkatës që ua vërteton administratës mjekësore se personat në fjalë janë të liruar nga pagesat participuese përgjatë kontrolleve mjekësore, ndërsa në anën tjetër, një grup i njerëzve lejohet të organizojnë kushte të atilla që edhe operimeve më të rënda t’u nënshtrohen edhe në ambiente shtëpiake, vetëm mos të lejojnë që egoja e tyre të thotë se “Filani ishte shtruar në spital për shkaqe shëndetësore”, dhe ngaqë egoja e tyre nuk duron që disa të dobët të ndjejnë keqardhje për shtrimin e tyre në spital.

Mirë se vini në vendin ku, vetëm pse je person me aftësi fizike të veçanta, ty thuajse nuk të lejohet të gëzosh faktin se ke mundësi të jesh një vozitës mjaftë i mirë duke përdorur aftësinë e duarve, sepse jeton në një shtet ku nuk ke hapësira për rregullimin e veturës sipas nevojave të tua fizike, mjete të veturës që mundësojnë qasjen në komunikacion, pa rënë pre e mendësisë së ngurtësisë, duke i lejuar të tjerët për t’u shprehur: nuk ka çfarë kërkon ky në komunikacion.

Mirë se vini në vendin ku, të aftët fizikisht blejnë diploma me shumë lehtësi, ndërsa personave me aftësi fizike të veçanta u mungojnë kushtet për të gëzuar jetën universitare, edhe pse në aspektin intelektual mund të jenë më të aftë se shumica e grupit tjetër.

Mirë se vini në vendin ku, më të papërgjegjshmit gëzojnë leje qarkullimi dhe prishin rendin dhe qetësinë e qytetarëve në komunikacion, i bëjnë të ndjehen në rrezik 24 orë brenda ditës, ndërsa për personat me aftësi fizike nuk ekziston të paktën një veturë nëpër autoshkollat që kanë tenderin për të dhënë pëlqimin se personi në fjalë, është i aftë në aspektin intelektual, ka vetëdije dhe ndjenjë përgjegjshmërie ndaj rendit dhe qetësisë shoqërore të qarkulloj me veturë në komunikacion për nevojat e tij.

Mirë se vini në vendin ku personi i aftë fizikisht, pa pikë ndërgjegje, në hapësirat publike zë vendin e posaçëm që është i rezervuar për të parkuar personat me aftësi fizike të veçanta, madje edhe kur mundohesh ta këshillosh se nuk mundesh të parkosh ngaqë nuk ke dokument identifikues se ke leje të veçantë nga institucionet përkatëse për një veprim të tillë, duke buzëqeshur si një kapadai, të drejtohet me fjalët: “Mos e bëj të madhe, 5 minuta e parkova.”, e ngaqë nuk ke ku të ankohesh në institucione, sepse personat në fjalë, kapadaillëkun e tyre e shfaqin sepse janë të sigurtë se “E kanë njeriun” aty brenda dhe është i sigurt nga pasimi me dënim përmes ligjit.

Mirë se vini në vendin ku, i pushtetshmi thuajse nuk paguan për doganimin, regjistrimin dhe sigurimin e përvjetshëm të veturës së tij, ndërsa një person me aftësi fizike të veçanta, detyrohet që përsëri të shëtis derë më derë, mbi të gjitha të harxhoj nga xhepi i tij për nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme, dokumente të cilat ia mundësojnë të regjistrojë veturën e tij duke e liruar nga pagesa e përgjithshme vetëm 25-30 euro, edhe pse deri sa ka arritur te ky nivel lirimi nga pagesat, ka harxhuar lëndë djegëse ndoshta edhe 50-60 euro.

Mirë se vini në vendin ku të aftët fizikisht lejohet të ngritin biznese fiktive vetëm në letër, ndërsa personave me aftësi fizike të veçanta nuk u lejohet të gëzojnë një biznes me zero përqindje në pagesat detyrimeve ndaj shtetit, shtet i cili duhet të iu jep mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre udhëheqëse dhe menaxheriale për të qenë të pavarur financiarisht, edhe pse fizikisht thuajse e kanë të pamundur t’i shërbejnë kontributeve ndaj shtetit.

Mirë se vini në vendin ku, të aftët fizikisht nuk kanë durimin të presin para bankave për pensionet shtetërore ngaqë janë të sigurtë se “E kanë brenda njeriun” që i ndihmon të hyj dhe të kryej punët e tij, ndërsa në anën tjetër personave me aftësi fizike të veçanta u marrin provizion bankat kur kjo kategori e njerëzve tentojnë të tërheqin para nga bankomati më i afërt nga shtëpia ku banojnë, e gjithë kjo vetëm për faktin se nuk është i regjistruar si klient në bankën ku po tenton të tërheq para.

Mirë se vini në vendin ku, të aftët fizikisht janë të punësuar në 5 vende pune dhe në asnjërin vend pune nuk e ka bërë as një ditë pune, ndërsa personave me aftësi fizike u mungojnë hapësirat e nevojshme për të ushtruar hobit dhe pasionet e tyre përmes trajnimeve përkatëse, të cilat u mundësojnë që në fund të atyre trajnimeve të certifikohen për një aftësi të fituar, që i mundëson të punësohet për atë që është certifikuar.

Mirë se vini në vendin ku, të aftët fizikisht me standardet e krijuara në rrugë të dyshimta kanë komoditetin të instalojnë dhe të përdorin liftat edhe në shtëpitë e tyre private, ndërsa udhëheqësit nëpër institucionet shtetërore i ç’aktivizojnë liftet ekzistues, me preteksin se nuk po përdoret nga askush dhe po dëmton kot e kot buxhetin e institucionit në të cilin udhëheq, gjë e cila ua pamundëson personave me aftësi fizike të veçanta të kryejnë çështjet e tyre personale.