Taravari: Punësime në shëndetësi do të ketë, por rritje pagash vështirë deri në fund të vitit

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari do të negociojë me sindikatat për kërkesat e tyre për marrëveshje të reja kolektive në shëndetësi, por ajo që do të dakordohet mund të zbatohet jo në fund të këtij viti, por vitin e ardhshëm. Deri në fund të këtij viti janë planifikuar punësime të reja, por nuk ka hapësirë për rritje pagash, transmeton Portalb.mk.

“Natyrisht që do të ketë punësime, por rritje dhe marrëveshje të re kolektive me kërkesë të sindikatave, sinqerisht, të them të drejtën mund të them çdo gjë, por është e vështirë të realizohet deri në fund të këtij viti buxhetor. Kemi një deficit të madh buxhetor. Mirëpo, propozim-buxheti kaloi në leximin e parë, tani është leximi i dytë, shpresoj që të mos ketë shkurtime të mëdha buxhetore në shëndetësi sepse duhet të mbijetojmë dhe të kalojmë deri në nëntor të këtij viti”, tha ministri Taravari.

Ai bëri të ditur se do të vazhdojë të negociojë me sindikatat, por do t’u kërkojë atyre të kuptojnë se është e pamundur të kalohet një marrëveshje e re kolektive këtë vit.

Sindikatat e punonjësve të shëndetësisë prej muajsh kërkojnë një marrëveshje të re kolektive për punonjësit, e cila do të rrisë pagat në sektorin e shëndetësisë.

Nuk është aspak befasi qëndrimi i ministrit Taravari pas detyrimit të javës së kaluar nga Qeveria që të gjitha institucionet duhet të kenë kujdes në nënshkrimin e kontratave të reja kolektive dhe të mos ndërmarrin obligime për të cilat nuk kanë siguruar mjete në buxhet për vitin aktual.

Në prill të këtij viti përfaqësuesit e Sindikatës së Shëndetësisë zhvilluan protestë para Ministrisë së Shëndetësisë. Ata thanë se nuk do t tërhiqen nga kërkesa për rritje pagash dhe nëse nuk do të dëgjohen do të kthehen sërish dhe në numër më të madh.