Sulm me dronë ndaj një anijeje tregtare në perëndim të Jemenit

Një sulm me dronë dëmtoi një anije tregtare 120 kilometra larg pjesë perëndimore të qytetit Hodeidah në Jemen njoftoi të dielën Agjencia detare e Britanisë së Madhe, UKMTO dhe firma private e sigurisë Ambrey, raporton VOA.

“Të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë në gjendje të mirë dhe anija po vazhdon udhëtimin për të ndaluar përkohësisht në një port për riparime “, tha Agjencia detare e Britanisë së Madhe në një njoftim.

Në një njoftim të veçantë, kompania Ambrey tha se anija ishte një anije tregtare me flamur të Liberisë, por pa e bërë publik emrin e saj. Kompania Ambrey tha se nuk ka njoftime për të lënduar si pasojë e sulmit.

Militantët e grupit të Jemenit Houthi kanë kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare që në nëntor, duke thënë se po vepron në shenjë solidariteti me palestinezët në luftën e Izraelit me militantët e Hamasit në Gazë.

Në dhjetëra sulme, rebelët Houthi kanë fundosur dy anije, kanë marrë peng një tjetër dhe kanë vrarë së paku tre marinarë.