Ushtria sudaneze dhe një grup i fuqishëm paraushtarak kanë vazhduar luftimet për të tretën ditë të hënën, duke sinjalizuar se nuk janë të gatshëm t’i japin fund luftimeve pavarësisht presionit diplomatik. Shefat e diplomacive të SHBA-së dhe Britanisë bënë sot thirrje për armëpushim dhe rikthimin e tranzicionit drejtë një qeverie që udhëhiqet nga civilët në Sudan. Forcat rivale në këtë vend të Afrikës Lindore besohet se kanë dhjetëra mijëra luftëtarë secila vetëm në kryeqytet, transmeton VOA.
Të dielën në Sudan u vranë edhe të paktën 41 civilë, duke e çuar numrin viktimave në gati 100, sipas Sindikatës së Mjekëve të Sudanit të cilët shtuan se qindra njerëz janë plagosur që nga fillimi i luftimeve të shtunën.
Lufta mes forcave të ushtrisë dhe një grupi paraushtarak po zhvillohet kryesisht në kryeqytetin Khartoum, në qytetin fqinj Omdurman dhe në disa zona tjera të vendit.
Përplasjet janë pjesë e luftës për pushtet midis gjeneralit Abdel-Fattah Burhan, komandant i forcave të armatosura dhe gjeneralit Mohammed Hamdan Dagalo, komandanti i grupit paraushtarak, që e quan vetën Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.
Të dy gjeneralët, dikur aleatë, orkestruan së bashku grusht shtetin ushtarak në tetorin e vitit 2021, i cili ndërpreu tranzicionin jetëshkurtër të Sudanit drejt demokracisë.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly sot bënë thirrje për armëpushim në Sudan.
“Ne jemi në kontakt me partnerët në botën arabe, në Afrikë, në organizata ndërkombëtare dhe të gjithë pajtohen mbi nevojën për një armëpushim të menjëhershëm dhe një kthim në bisedime për vendosjen e Sudanit në rrugën e një tranzicioni të plotë drejt qeverisë të udhëhequr nga civilët. Njerëzit në Sudan duan demokraci”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Me këtë qëndrim u pajtua edhe shefi i diplomacisë britanike, Cleverly.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me miqtë tanë të ngushtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me miqtë tanë në Afrikë dhe më gjerë në botën arabe për të çuar Sudanin drejtë paqes dhe një demokracie civile”, tha Cleverly.
Sekretarët Blinken dhe Cleverly u takuan në Japoni, ku diplomatët nga Evropa dhe Amerika e Veriut po diskutojnë krizat më të rënda në botë, duke përfshirë mënyrat për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, për t’u përballur me agresionin e Kinës ndaj Tajvanit dhe për të joshur Korenë e Veriut përsëri në bisedimet e çarmatimit bërthamor.