Studentët për herë të parë me listën e tyre në zgjedhjet në Serbi
Studentët në Serbi do të garojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare me listën e tyre. Vendimi vjen pas muajsh protestash kundër Qeverisë, transmeton Portalb.mk.
Protestat nisën pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024. Në këtë tragjedi humbën jetën 16 persona, ndërsa disa të tjerë u plagosën.
Aksidenti shkaktoi protesta dhe bllokada në Novi Sad, Beograd dhe qytete të tjera. Protestuesit kërkuan përgjegjësi për lëshimet në ndërtim, korrupsionin dhe mbikëqyrjen e dobët.
Ata kërkuan edhe ndryshime sistemore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Tani vëmendja është te lista e kandidatëve të studentëve. Lista duhet të miratohet nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve për të marrë pjesë zyrtarisht në zgjedhje.
Studentët kanë vendosur disa kritere për kandidatët. Ata nuk duhet të jenë pjesë e partive ose lëvizjeve opozitare. Gjithashtu, nuk duhet të kenë qenë anëtarë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe nuk duhet të jenë ndjekur penalisht. Kandidatët duhet të pranojnë edhe programin e studentëve.
Fushata e tyre joformale ka nisur disa muaj më parë. Studentët kanë organizuar tubime, takime derë më derë dhe kanë vendosur stenda në qytete të ndryshme për të prezantuar programin e tyre.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk e ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen, edhe pse më herët e kishte paralajmëruar atë. SNS ka bërë të ditur se do ta propozojë Vuçiqin për kryeministër.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkroi më 9 shtator dekretet për shpërndarjen e Kuvendit Kombëtar të Serbisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 25 tetor.