RMV, thirrja për mbështetje financiare për nxënësit mbaron sot, studentët kanë afat deri nesër

Deri sot (e diel, 24 dhjetor) zgjat afati për paraqitje në thirrjen publike për mbështetje financiare për nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme, familjet e të cilëve kanë të ardhura të përgjithshme prej neto-pagave deri në 50.000 denarë, njofton Portalb.mk.

Mënyra e paraqitjes është përshkruar në thirrjen e publikuar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), e cila ka siguruar dhe është përgjigjur për pyetjet më shpesh të parashtruara për këtë masë.

Për studentët, të cilët aplikojnë për kompensim financiar për mbulimin e një pjese të shpenzimeve për transport mes qyteteve, afati është deri nesër (e hënë, 25 dhjetor).

Studentët në këtë thirrje paraqiten në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-shërbime”.

Kandidatët e interesuar duhet të ngarkojnë paraqitje se janë studentë i rregullt në universitet shtetëror, vërtetim për nënshtetësi, letërnjoftim ose dokument tjetër për identifikim, llogari bankare dhe dëshmi për lartësinë e biletës mujor për transport mes qyteteve nga vendi i vendbanimit deri në vendin e studimit. Si provë, thonë nga MASH, mund të dorëzohet fotografia nga bileta mujore, llogari fiskale ose “printskrin” nga çmimet e publikuara në ueb-faqet e transportuesit.