Strehimorja “Lajka”: Braktisja e qenve përbën shkelje të Ligjit për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve

Nëntë qen të pajisur me mikroçip, të cilët kanë pronarë, janë strehuar në “Lajka” gjatë javëve të fundit, pasi më herët janë braktisur në rrugë. Nga strehimorja thonë se pronarët nuk tregojnë asnjë interes t’i marrin dhe të kujdesen për ta, ndërsa institucionet nuk ndërmarrin hapa për të rregulluar boshllëkun ligjor që e definon braktisjen e një kafshe shtëpiake si kundërvajtje, por pa sanksione, transmeton Portalb.mk.

Ndërmarrja komunale thekson se trendi i gjetjes së qenve me mikroçip aktiv në rrugë vazhdon pandërprerë, dhe fakti që një pjesë e pronarëve refuzojnë t’i marrin përsëri, duke i lënë në “Lajka”, krijon presion shtesë mbi kapacitetet e strehimores.

“Nëntë qentë janë kapur gjatë periudhës së fundit, të gjithë me pronarë që i kanë braktisur në mënyrë të qëllimshme dhe të papërgjegjshme. Secili prej këtyre qenve mund të sjellë brezni të reja në rrugë, gjë që çon në rritjen e numrit të kafshëve të braktisura dhe problemeve për komunitetin”, thonë nga “Lajka”.

Braktisja e qenve përbën shkelje të Ligjit për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve, por për raste të tilla nuk ekzistojnë masa kundërvajtëse që do të ndëshkonin pronarët të cilët me vetëdije i lënë kafshët e tyre. Për këtë arsye, qentë me mikroçip që gjenden në rrugë përfundojnë tek ne, dhe kjo është një çështje sistemike që duhet të zgjidhet.

“Pavarësisht mungesës së mekanizmave ligjorë, duhet të ekzistojë së paku një përgjegjësi etike te çdo pronar. Nëse ke marrë përsipër të mbash një qen, lë një gjurmë: mikroçip, emër, adresë. Por lë edhe përgjegjësi. Nëse nuk mund të kujdesesh më, je i detyruar të gjesh një zgjidhje të duhur: të kontaktosh strehimoren, të kërkosh ndihmë, të gjesh një shtëpi të re, por kurrë të mos e lësh kafshën në rrugë”, theksojnë nga ndërmarrja.

Ata apelojnë se është i domosdoshëm përmirësimi i zgjidhjeve sistemike dhe forcimi i vetëdijes për pronësi të përgjegjshme, sepse braktisja e një kafshe shtëpiake nuk duhet të jetë asnjëherë opsion.