Stoltenberg zhvilloi takim me krerët e vendit, Maqedonia e Veriut u vlerësua si shtet aleat për stabilitetin rajonal

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot me nderimet më të larta në pllajën përballë Qeverisë, priti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet në vizitë zyrtare, për herë të parë që kur vendi ynë u bë anëtar i NATO-s, transmeton Portalb.mk.

Kovaçevski-Stoltenberg: Maqedonia e Veriut është aleat i çmuar, stabiliteti dhe prosperiteti i vendit i sigurt me anëtarësimin në NATO

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili sot ndodhet për vizitë zyrtare në vend, zhvilluan një takim kokë më kokë, pas së cilës zhvilluan një takim dypalësh së bashku me delegacionet.

Në takimin dypalësh ku morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, u diskutua për rolin e Maqedonisë së Veriut si  aleat i çmuar i NATO-s, vend anëtar që bën një kontribuon në realizimin e synimeve të NATO-s dhe mbetet e përkushtuar për të marrë pjesë në operacionet dhe misionet e Aleancës.

Në takim u theksuan edhe përfitimet konkrete politike dhe ekonomike për vendin nga anëtarësimi në NATO. Kryeministri Kovaçevski theksoi se stabiliteti dhe siguria e mundësuar përmes anëtarësimit në NATO është e një rëndësie të madhe për zhvillimin e ekonomisë dhe është përfitim i drejtpërdrejtë si për qytetarët ashtu edhe për kompanitë në Maqedoninë e Veriut.

Në takim, bashkëbiseduesit theksuan se është jashtëzakonisht e rëndësishme si për vendin ashtu edhe për rajonin që Maqedonia e Veriut, në baza të barabarta me aleatët e saj, të marrë pjesë aktive në diskutimet për sigurinë rajonale, evropiane apo globale, duke ndarë qasjen e saj specifike në mënyrë konstruktive në zgjidhjen e sfidave përmes dialogut të hapur, i cili është bazë për ndërtimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Sekretarin Stoltenberg në aeroportin e Shkupit e priti ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska.

“Mirë se erdhe në Maqedoninë e Veriut, një aleat i përkushtuar dhe i dëshmuar në Aleancë.Jemi të nderuar që takimi i përbashkët me liderët e Maqedonisë së Veriut dhe aleatëve – Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë – do të zhvillohet në kryeqytetin maqedonas. Kjo tregon se NATO e vlerëson rolin e Maqedonisë së Veriut si aleate dhe shtyllë e rëndësishme e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha ministrja pas mirëseardhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.

Jens Stoltenberg dhe Sllavjanka Petrovska. Foto: Ministria e Mbrojtjes
Jens Stoltenberg dhe Sllavjanka Petrovska. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Stoltenberg pas takimit me Kovaçevskin, ka zhvilluar takim edhe me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, ndërsa pas takimit ai ju është drejtuar edhe deputetëve në Kuvend.

Në takimin e Pendarovskit me Stoltenberg u diskutua për bashkëpunimin e përgjithshëm me NATO-n, në kuadër të anëtarësimit të plotë të RMV-së në Aleancë dhe mundësitë për avancimin e tij, prioritetet e politikës së jashtme të vendit, si dhe çështjet aktuale të sigurisë rajonale dhe situatën në rajon më gjerë në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Jens Stoltenberg - Stevo Pendarovski. Foto nga Presidenca e RMV-së
Jens Stoltenberg – Stevo Pendarovski. Foto nga Presidenca e RMV-së

“Presidenti Pendarovski theksoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të kapaciteteve të saj, që në të ardhmen të kontribuojë aktivisht në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, si dhe në përballjen me kërcënimet tradicionale dhe të reja. Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski përshëndeti mbajtjen e takimit të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni nesër në Shkup dhe theksoi se vizita e sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg në vendet e Ballkanit Perëndimor edhe një herë dëshmon përkushtimin e NATO-s për stabilitet dhe siguri. të rajonit, në një kohë sfidash të mëdha sigurie në mjedisin tonë më të gjerë”, thuhet në njoftimin e .Presidencës.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, realizoi takim me Jens Stoltenberg, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

“Gjatë takimit të kryetarit Xhaferi, në emër të deputetëve të Kuvendit, i uroi sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenbergut, mirëseardhje të ngrohtë në dhomën ligjvënëse, dhe i falënderoi për kultivimin e raportit të përkushtuar ndaj çdo vendi aleat në Aleancë, por edhe ndaj vendeve aspirante. Me këtë turne Ballkanike, kjo u provua edhe njëherë. Ai e informoi bashkëbiseduesin për obligimet e ndërmarra dhe të realizuara të shtetit si NATO aleat në ndihmën solidare dhe ushtarake ndaj Ukrainës, për bashkëngjitjen ndaj sanksioneve për Rusinë, si edhe për dënimin e pretendimeve territoriale dhe aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë. Kuvendi jonë ishte ndër të parët që e formoi Grupin Parlamentar Ndër-Partiak për mbështetjen e Platformës së Krimesë, përmes aktiviteteve të së cilës japim mbështetje pa rezervë edhe në planin ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Jens Stoltenberg - Talat Xhaferi. Foto: Kuvendi i RMV-së
Jens Stoltenberg – Talat Xhaferi. Foto: Kuvendi i RMV-së

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Stoltenberg në Maqedoninë e Veriut është në kuadër të vizitës së tij katërditore në Ballkanin Perëndimor.

Kreu i NATO-s do të marrë pjesë edhe në takimin joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni, të organizuar nga Maqedonia e Veriut.

Kryeministri Kovaçevski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, në orët e pasdites kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media ku theksuan që rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut duhet të vazhdon.

Kujtojmë se më 30 tetor, Shkupin e vizitoi edhe kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen. Pas takimit me kryeministrin Kovaçevski, ajo tha se Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë drejt anëtarësimit në BE.

“Është e pabesueshme të shohësh përparimin që ka bërë Maqedonia e Veriut dhe vendosmëria për të ecur përpara është mbresëlënëse”, tha Von del Leyen.

“BE ka një histori të gjatë zgjerimi dhe respekti për çdo komb dhe respekt për diversitetin që ne përfaqësojmë. Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin e saj unik dhe gjuhën maqedonase”, tha kryetarja e KE-së.

Në vitin 2020, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s – Aleanca më e fuqishme në botë. Së bashku me shtetet e tjera anëtare, ajo siguron paqen dhe stabilitetin e rreth një miliard qytetarëve në botë që ndajnë të njëjtat vlera.