Stoltenberg pas takimit me Osmanin: Është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se për aleancën veri-atlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë i situatës në veri të Kosovës.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ikin retorikës nxitëse dhe të përmbahen, në linjë me zotimet e tyre”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton REL.

Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në veri të Kosovës, muaj më parë, ka qenë e papranueshme.

Sipas tij, stabiliteti i rajonit varet nga të gjitha palët.

Ai e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve të Kosovës për zvogëlim të prezencës policore në veri dhe planet për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit.

“Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociim me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave të sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, që mund të ketë ndikim në siguri”.

Pas deklarimit të tij për zotimet e 2013-ës, Stoltenberg është pyetur nëse tani po prezantohet një kriter i ri për Kosovën, pasi deri më tani zotimi ka vlejtur vetëm për forcat e sigurisë së Kosovës, dhe jo për forcat policore.

“Nuk është kriter i ri. Ky qëndrim është bazë e misionit për një kohë të gjatë. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon miratim të KFOR-it dhe ka nevojë për konsultim të afërt mes autoriteteve të Prishtinës dhe KFOR-it për çfarëdo angazhimi që mund të ndikojë në pozitën tonë dhe sigurinë në Kosovë”.

Osmani ka thënë se Kosova, sikurse NATO-ja, e ka synimin e njëjtë, që është paqja dhe stabiliteti dhe siguria për të gjithë njerëzit në rajon.

Duke e komentuar deklaratën e Soltenbergut për deklaratën e 2013-ës, ajo ka thënë se dokumenti vlen vetëm për forcat e sigurisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës ka vepruar dhe e ka ushtruar mandatin e vet kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës”.