Spasovski: Kompanive në “listë të zezë” të SHBA-ve t’u ndalohet me ligj të marrin pjesë në tenderë për furnizime publike

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski konsideron se duhet të miratohet zgjidhje ligjore me të cilin kompanive të cilat janë ose do të gjenden në “listën e zezë” amerikane të mos munden të marrin pjesë në tenderë të publikuar nga institucione shtetërore në vend, njofton Portalb.

Rreth kësaj çështjeje, ministri pret që të hapet debat në Qeveri, pasi dje e ashtuquajtura “listë e zezë” e SHBA-ve u “pasurua” edhe me emrat e tre personave me shtetësi nga Maqedonia e Veriut dhe katër kompani të lidhura me biznesmenin Jordan Orce Kamçev, i cili tashmë ndodhet në listën amerikane të sanksioneve.

Spasovski theksoi se vendimi që në listë të zezë të SHBA-ve të vendoset biznesmeni rus me shtetësi nga Maqedonia e Veriut Sergej Samsonenko, bashkëshortja e tij Irina, si dhe Ratka Kamçeva, e ëma e biznesmenit Jordan Orce Kamçev është i pritur. Ai shtoi se pret që edhe persona të tjerë të cilët kanë gabuar para ligjit dhe ilegalisht kanë krijuar pasuri të madhe në territorin e shtetit të sanksionohen.

“E para, kjo është e pritur. unë pres që edhe persona të tjerë të cilët merren me krim, të cilët nuk kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit, ata të cilët janë të dënuar, kundër të cilëve zhvillohen procedura, kanë vuajtur dënime me burg, të cilët kanë krijuar pasuri të madhe në territorin e shtetit, normalisht që në çfarëdo lloj mënyre duhet të sanksionohen. Unë pres që do të hapet një debat në Qeveri në këtë kontekst. Ne biseduam një herëpas publikimit të partë të listës dhe pres se do të duhet të miratohen masa të caktuara konkrete. Unë pres që të krijohet mundësi ligjore që kompanitë e këtilla të mos munden të marrin pjesë në furnizimet publike në të cilët do të paguhen para publike ose personave konkret ose kompanive të cilat i kanë. Kështuqë përmes një diskutimi sigurisht se do të sjellim edhe masa normative të cilat në mënyrë praktike do t’i tangojnë personat e këtillë”, deklaroi ministri Spasovski pas vizitës së sotme në ndërtimin e objektit të ri të stacionit policor në Aerodrom.

Zëvendësministrja e Drejtësisë Viktorija Madiq Avramovska tha se mesazhet të cilat vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i pranojmë si qëllim të mirë. Ajo bëri thirrje edhe për azhurnim më të madh nga ana e organeve gjyqësore të Maqedonisë së Veriut.

“Institucionet të cilat janë kompetente për këtë – Prokuroria dhe gjyqësia duhet të ndihmojnë që të mos kemi emra të rinj në lista të këtilla, por të tregojmë se guxojnë dhe do të mund të parandalojnë edhe proceset në qoftë se ka për persona të caktuar që t’i përfundojnë më parë. Ju bëjë thirrje Prokuroria dhe gjyqësisë që të jenë më të azhurnuara dhe në të ardhmen më mirë t’i zbatojnë proceset jo vetëm për këta por edhe për persona të tjerë që të mos kemi situata të këtilla”, tha Madiq Avramovska.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 16 nëntor të vitit 2023 kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur rundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan, Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq dhe Dushko Peroviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaciq e Nenad Popoviq nga Serbia.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramiz Merkon. Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.

Ambasadori, David Geer ka paralajmëruar ardhjen në Shkup të një misioni për vlerësimin e punës së Këshillit Gjyqësor, organit më të lartë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, që zgjedh dhe monitoron punën e gjykatësve.

Por, Këshilli ka qenë në shenjstër të kritikave për zgjedhjen e kuadrove partiak në pozita drejtuese në organet e drejtësisë, por edhe për mos veprim në më shumë raste lidhur më vjetërsimin apo mos procedimin e rasteve që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë shtetëror.