Spasovski: Ka ndikime, për shembull një kriminel i rrezikshëm për shtetin merr arrest shtëpiak

Personi që profilizohet si i rrezikshëm për sigurinë e vendit dhe largohet nga vendi merr arrest shtëpiak. Kështu deklaroi mbrëmë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, gjatë një paraqitjeje në televizionin Telma me temë ndikimi ndaj individëve në disa institucione, transmeton Portalb.mk.

“Sigurisht që ka ndikime. Për shembull, këtu përmendët personin me iniciale B.Sh. të cilit iu krye bastisje, u gjetën armë, dhe është një i kthyer nga zonat e luftës në Siri, dhe në fund, imagjinoni mendimin e hetuesve dhe anëtarëve të MPB-së që kanë punuar në këtë çështje, kur shohim vendimin e gjykatës se shqiptohet – arrest shtëpie. Për një person që profilizohet si person i rrezikshëm sipas sigurisë së vendit dhe në të njëjtën kohë largohet nga vendi?! Është mënyra më e pasigurt e sigurimit dhe do të thoja që nuk bëhen gjykime në këtë pjesë. Prandaj mendoj se duhet të punojmë shumë hapur, me efikasitet, me ndershmëri. Pavarësisht nëse janë lidhje politike, biznesi apo ndonjë tjetër, ato duhet të ndërpriten – kështu mund të ndërtojmë një sistem që funksionon”, tha Spasovski.

Sipas Spasovskit, kjo flet shumë se pse është e nevojshme që të gjitha vendet e rajonit të jenë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare si Interpoli dhe Europoli, të kenë reagim të përbashkët të konsoliduar, pavarësisht nga marrëdhëniet politike që duhet të zgjidhen ndërmjet vendeve me dialog, si mënyra më e mirë.

Qytetarët lidhur me këtë institucion, ministri Spasovski theksoi se është shumë e rëndësishme se cili do të jetë perceptimi i besimit të qytetarëve ndaj institucionit.

“Nëse bëjmë një krahasim, viti 2015 apo 2016 kemi pasur besimin më të ulët te Ministria e Brendshme dhe ka qenë një nga institucionet më jotransparente apo më të mbyllura. Dhe gjatë asaj periudhe, ne kishim detektuar saktësisht se përse po na ndodhnin rezultate të tilla perceptimi: përgjimet, rasti i Martin Neshkovskit, ngjarjet në Kumanovë… Dhe së dyti, mostransparenca, e cila ishte kyçe në krijimin e mosbesimit. Mendoj se këto kanë qenë detyrat e para që i kemi vënë vetes si drejtues në Ministrinë e Brendshme për të ndryshuar këtë perceptim. Ai perceptim nuk mund të ndryshojë vetvetiu, duhen shumë gjëra. Të punohet në ndërtimin e besimit në mes të komunitetit, qytetarëve dhe MPB-së dhe të punohet në transparencë”, kujtoi Spasovski, duke shtuar se ditët e para në MPB, nga strukturat e atëhershme udhëheqëse është këshilluar që të mos të hapte institucionin aq shumë siç kishte urdhëruar, sepse perceptimi do të ndryshojë duke marrë parasysh ndarjen me publikun në numrin e veprave penale.

“Megjithatë kam qenë i vendosur në bindjen time se çdo gjë që bëjmë duhet ta ndajmë me qytetarët. Dhe për atë që po ndërmerret – qytetarët realisht duhet të informohen, se duhet të kemi përgjegjësi në atë pjesë”, tha Spasovski.