Billboardi i ri i Qytetit të Shkupit ngjalli reagime dhe kritika për mungesën e gjuhës shqipe dhe përzgjedhjen e simboleve

Billboardi i ri me të cilin Qyteti i Shkupit u uron mirëseardhje vizitorëve, i promovuar nga kryetari i qytetit, Orce Gjorgjievski, ka nxitur reagime për shkak të mungesës së gjuhës shqipe dhe përzgjedhjes së simboleve të paraqitura. Po ashtu, në përmbajtjen vizuale të billboardit, paraqiten Kryqi i Vodnos dhe monumenti i Buqefalit, ndërsa, janë lënë jashtë monumente dhe objekte që përfaqësojnë trashëgiminë historike e kulturore të shqiptarëve dhe karakterin multietnik të kryeqytetit, si Çarshia e Vjetër, Kalaja e Shkupit dhe xhamitë, transmeton Portalb.mk.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj, siç thotë, këtyre shkeljeve të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e Qytetit të Shkupit, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.

Në reagimin e saj, BDI thekson se brenda një dite Qyteti i Shkupit dy herë ka shkelur detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe, ndonëse Shkupi është qytet dygjuhësh dhe institucionet e tij kanë obligim që shqipja të përdoret në komunikimin zyrtar.

Sipas BDI-së, pavarësisht reagimeve publike dhe detyrimeve ligjore, Qyteti i Shkupit ka vazhduar ta injorojë gjuhën shqipe, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

Partia opozitare vlerëson se Inspektorati është krijuar për të evidentuar shkeljet, për të urdhëruar korrigjimin e tyre dhe për të shqiptuar masa ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin, por akuzon se drejtori i këtij institucioni, i emëruar nga VLEN-i, e ka paralizuar funksionimin e tij dhe po hesht përballë shkeljeve.

BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, përgjegjësi politike nga VLEN-i, si dhe veprim të menjëhershëm ligjor ndaj të gjithë atyre që, sipas saj, shkelin Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

“Heshtja e Inspektoratit e inkurajon shkeljen e ligjit dhe e shndërron përjashtimin e gjuhës shqipe në praktikë institucionale. Kërkojmë: Dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Përgjegjësi politike nga VLEN-i, i cili ka kapur dhe bllokuar funksionimin e këtij institucioni”, thonë nga BDI.