Sot shënohet 570 vjetori i librit “Meshari” i Gjon Buzukut

Gjon Buzuku është autori i librit të parë të shtypur shqip që njihet, duke shqipëruar mesharin katolik në një shqipe që ka për bazë gegërishten, vepër e njohur gjerësisht si “Meshari”, transmeton Portalb.mk.

Gjon Buzuku nga 20 marsi i 1554 deri më 5 janar 1555 u mor me përkthimin e mesharit katolik në gjuhën e atëhershme shqipe. Përkthimi doli nga shtypi në një vëllim me 188 faqe, Biblioteka Apostolike e Vatikanit mban të vetmen kopje të njohur të librit. Mesharit i mungojnë së paku 8 fletët e para. Së bashku me këto fletë, fatkeqësisht, mungojnë edhe: titulli i vërtetë i librit, viti i botimit, vendi i botimit, emri i saktë i autorit ose i përkthyesit, titulli i origjinalit, nga ku janë marrë pjesët që janë përkthyer, leja e botimit, pastaj parathënja, hyrja dhe ndonjë poezi, në formë lavdi, që ishte gjë e zakonshme e kohës në botime të tilla.

Mungesa e këtyre të dhënave u ka hapur rrugë studiuesve të shumtë, që të sjellin ide dhe argumente të reja, që nga ato të natyrës tipografike, e deri te ato gjuhësore, me të cilat dëshirohet të zgjidhen çështje shumë të diskutuara, të shkaktuara nga mungesa e të dhënave, të cilat do të duhej të ishin në faqet e para të librit. Natyrisht zgjidhja e problemit të vendit të botimit, do të ndihmonte të zbërtheheshin edhe shumë çështje të tjera të panjohura.

“Meshari” i Gjon Buzukut hap një faqe të re një historinë e letërsisë shqiptare. Me të fillon historia e librit të botuar, [të njohur deri sot] në gjuhën shqipe. Andaj është e natyrshme që ky libër të tërheqë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve dhe çdoherë t’i provokojë ata të masin forcat intelektuale që të kontribuojnë për zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura, që dalin prej tij.

Është e natyrshme, që si i tillë, ta nxisë çdo studiues të merret me të, por jo çdonjëri ka fatin të shënojë kthesë të rëndësishme në studimet buzukiane. Kur nga perspektiva e sotme i hedhim një vështrim studimeve buzukiane, nuk ka si të mos befasohemi me këmbënguljen e studiuesve për t’i ndriçuar çështjet e pazbërthyera që nxit ky libër.

Kjo vepër cilësohet si vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar dhe ruajtur deri sot.