Sot nisin Lojërat Olimpike “Paris 2024″, gjashtë sportistë pjesëmarrës nga RMV, në mesin e tyre një shqiptar

Sot nisin Lojërat Opimpike “Paris 2024”. Kjo do të jetë hera e parë që Lojërat Olimpike nuk do të nisin në stadium, por në lumin Sen. 85 anije pritet të parakalojnë me rreth 7 mijë atletë, në një paradë gjashtë kilometra të gjatë në Senë. Në Olimpiadë, këtë vit do të marrin pjesë gjashtë sportistë nga Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Vladimir Egorov – mundje, Nikolla Gjuretanoviq – not, Anastasia Mojsovska – gjueti me hark, Edi Sherifovski – xhudo, Milijana Reliq- taekwondo dhe Dario Ivanovski – atletikë, janë sportistët që marrin pjesë në Lojërat olimpike. Ivanovski dhe Reliq do të mbajnë flamurin e Maqedonisë së Veriut në ceremoninë e hapjes.

Edi Sherifovskin, është shqiptari i vetëm që përfaqëson Maqedoninë e Veriut në Lojërat Olimpike në Paris në xhudo.

Në episodin e katërt të OpenMic në Portalb, Sherifovskin, ka folur e për përvojën dhe sfidat e tij deri në përzgjedhjen e tij për të prezantuar vendin në Garat Olimpike.

Ceremonia do të nisë më 19:30 e pritet të zgjasë rreth 3 orë e 45 minuta.

Detajet se kush do të ndezë flakën olimpike për të shënuar nisjen e Lojërave dhe cilët artistë marrin pjesë, po mbahen sekret.

Lojërat Olimpike do të mbahen deri më 11 gusht 2024, pasuar nga Lojërat Paralimpike nga 28 gushti deri më 8 shtator. Programi i Lojërave Olimpike Verore 2024 do të paraqesë 329 gara, ndërsa Lojërat Paralimpike do të bashkojnë 4,400 atletë paraolimpikë nga 182 vende për më shumë se 500 ngjarje sportive. Ngjarja pritet të ndiqet nga më shumë se 3.5 milionë spektatorë në mbarë botën.

Ndryshe, presidentja Gordana Siljanovska Davkova me 22 korrik priti olimpistët në vilën Vodno.  Në takim, presidentja Siljanovska Davkova u njoftua për përgatitjet përfundimtare të ekipit olimpik të Maqedonisë, si dhe për pritjet nga garat.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova priti olimpistët nga Maqedonia e Veriut që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Paris. Foto: Presidenca e RMV-së
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova priti olimpistët nga Maqedonia e Veriut që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Paris. Foto: Presidenca e RMV-së