Sot është afati i fundit, Rokas pret marrëveshje për Kodin Zgjedhor që të mos shkojnë dëm 4.2 milionë euro nga BE-ja
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, shprehu shpresën se partitë politike sot do të arrijnë konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat janë pjesë e detyrimeve nga Agjenda e Reformave, transmeton Portalb.mk.
Duke folur pas promovimit të automjeteve për Inspektoratin Shtetëror të Transportit, të siguruara me donacion nga Bashkimi Evropian, Rokas theksoi se miratimi i ndryshimeve është i rëndësishëm, pasi prej tyre varet pagesa e 4.2 milionë eurove nga fondet evropiane.
“Shpresoj që, duke qenë se sot është dita e fundit për arritjen e marrëveshjes, partitë politike do të gjejnë një kompromis. Bëhet fjalë për 4.2 milionë euro, të cilat do të përdoren në interes të qytetarëve”, deklaroi Rokas.
Duke iu referuar përparimit të vendeve të tjera kandidate, ai vlerësoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po merr një hov të fuqishëm.
“Zgjerimi është një investim në sigurinë, stabilitetin, prosperitetin dhe konkurrueshmërinë e Bashkimit Evropian. Sot shohim se procesi po ecën shumë shpejt për katër vende kandidate dhe sinqerisht shpresoj që Maqedonia e Veriut së shpejti do ta ndjekë këtë rrugë dhe do të fillojë negociatat e anëtarësimit”, tha ambasadori evropian.
Rokas shtoi se prapa skenës po zhvillohen bisedime intensive për tejkalimin e pengesave në procesin e integrimit evropian.
“Po punohet shumë edhe jashtë syve të publikut. Shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje që do ta hapë rrugën për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian”, porositi Rokas.
Ndryshe, sot është afati i fundit për miratimin e kodit zgjedhor. Nesër vendi duhet t’i dërgojë raport BE-së për reformat e kryera.
Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.
Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.