Kostadinovski: Sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese i konsideroj kompliment

Sulmet nga politika dhe disa institucione shtetërore ndaj Gjykatës Kushtetuese i konsideroj si kompliment për punën e saj, deklaroi sot kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Kreu i Gjykatës Kushtetuese e tha këtë duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve në brifingun e hapur të mbajtur sot, në lidhje me reagimin e fundit të Gjykatës, në të cilin thuhej se po bëhen përpjekje për politizimin e punës së saj përmes reagimeve dhe formave të tjera të shprehjes së pakënaqësisë ndaj vendimeve të marra. Reagimet më të fundit në këtë drejtim erdhën nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me shfuqizimin e vendimit të Komunës së Tetovës të vitit 2007 për riemërtimin e një pjese të rrugëve dhe sheshit qendror të qytetit, si dhe nga E Majta (Levica) për mënyrën se si Gjykata Kushtetuese veproi ndaj nismës së saj për kushtetutshmërinë e Kodit Zgjedhor në pjesën e reklamimit politik, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu, Kostadinovski në përgjigjen e tij u ndal gjerësisht edhe te reagimet pas shfuqizimit të “balancuesit”, mekanizmit për punësim në administratën publike sipas përkatësisë etnike, si dhe te nismat për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe ndryshimet në Kodin Penal.

Sipas tij, politizimi i Gjykatës Kushtetuese ka nisur që pas intervistës së tij të parë si kryetar i Gjykatës, kur kishte paralajmëruar se nuk do të kishte më mbajtje të lëndëve në sirtar apo ndarje të tyre në të ndjeshme, më pak të ndjeshme apo më shumë të ndjeshme, sepse, siç tha ai, pikërisht për shkak të mbajtjes së lëndëve në sirtar është krijuar situata aktuale, ku i gjithë sistemi gëzon vetëm dy përqind besim te qytetarët.

“Dhe ai politizim është i vazhdueshëm, qoftë për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, qoftë për ‘balancuesin’, qoftë për lëndë të caktuara – Kodi Penal, Kodi Zgjedhor apo rrugët. Për mua, siç e kam thënë edhe më parë, sulmet nga politika dhe disa institucione shtetërore ndaj Gjykatës Kushtetuese janë kompliment për punën tonë. Nëse ata janë nervozë, do të thotë se ne po e bëjmë mirë punën tonë, sepse thelbi i ekzistencës sonë është ta kufizojmë pushtetin politik dhe ta mbajmë atë brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore, të mos i tejkalojë kompetencat e veta dhe të mos ndikojë në mënyrë joproporcionale mbi pushtetet e tjera. Thjesht, ne e mbrojmë rendin kushtetues ashtu siç e parasheh Kushtetuta. Ky është detyrimi ynë i parë”, tha Kostadinovski.

Sipas tij, kjo nervozë hap edhe një pyetje tjetër: Çfarë shteti duam të ndërtojmë? Nëse do të jetë një shtet ku sundon ligji, me standarde evropiane, ku politika nuk do të jetë mbi institucionet dhe ku e drejta do të jetë mbi politikën, apo do të mbetet gjithçka si deri më tani.

Kostadinovski tha se nuk dëshiron një, siç e quajti ai, “kuazi-shtet”, ku politika është mbi institucionet, por një shtet me institucione të forta demokratike, që punojnë brenda kompetencave të tyre dhe për të cilat është e parëndësishme se kush është në pushtet.

Në këtë kontekst, ai u ndal edhe te protestat e BDI-së për emrat e rrugëve, pa e përmendur partinë me emër.

“Ato protesta janë protesta kundër sundimit të ligjit. Pse nuk e shohin thelbin? Për 15 vjet kanë pasur mundësi ta zbatojnë procedurën ligjore. Imagjinoni sikur ne të mbyllnim sytë dhe të thoshim se është në rregull vendimi i Komunës së Tetovës. Ne kemi 80 komuna në shtet dhe nesër të gjitha do të thoshin se Gjykata Kushtetuese ka krijuar praktikë që nuk është e nevojshme të plotësohen kushtet ligjore. Nëse mundet për ta, atëherë mundet edhe për ne”, tha ai.

Ai i cilësoi si absurde dhe të pakuptimta akuzat se është antishqiptar.

“Në atë komunikatë kam përmendur dy shembuj – për rrugët në Qytetin e Shkupit dhe në Çair. Atëherë Gjykata Kushtetuese vendosi të mos hapë procedurë. Pse? Sepse ishte respektuar procedura ligjore. Atëherë çfarë isha unë – proshqiptar? Në njërën prej atyre lëndëve isha gjyqtar raportues. Atëherë paskam qenë proshqiptar, ndërsa tani për Tetovën jam antishqiptar. Është absurde dhe pa kuptim. Pikërisht për këtë them se këto sulme hapin një pyetje shumë më të rëndësishme: Çfarë shteti duam? Madje, nëse më pyesni mua, neve na duhet një kontratë e re shoqërore që të sundojë ligji në këtë shtet. Nëse nuk e arrijmë këtë, edhe pas dhjetë vitesh do të flasim për të njëjtat tema. Duhet të kalojmë në një demokraci të pjekur. Mjaft më me temat etnike, ato nuk na çojnë përpara. Qytetari është ai që ka rëndësi”, tha Kostadinovski.

Lidhur me shfuqizimin e të ashtuquajturit “balancues”, ai tha se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndodhur asgjë dramatike, por vetëm është krijuar mundësia që edhe ata që e kritikojnë këtë vendim t’i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese në institucionet shtetërore dhe publike, ku punojnë nëpunës profesionistë dhe të kualifikuar.

Sa i përket sulmeve ndaj Gjykatës Kushtetuese, ai përmendi disa shembuj që, sipas tij, dëshmojnë për gënjeshtra të paskrupullta nga politika. Pa e përmendur me emër, ai foli për nënkryetarin e një partie politike, i cili, sipas tij, pothuajse në çdo paraqitje publike e akuzon se ka vendosur tabelë njëgjuhëshe në sallën e konferencave të Gjykatës Kushtetuese.

“Ai nënkryetar partie duhet ta pyesë deputetin e tyre, ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, se kur është vendosur ajo tabelë dhe nga kush. Imagjinoni, mua që jam bërë kryetar në vitin 2024 më akuzon për këtë në çdo paraqitje publike. Nuk është e vërtetë. Deputeti i tyre, kur ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2021, e vendosi atë tabelë, ndërsa unë e vendosa këtë tabelë (duke treguar tabelën pas tij ku emri i institucionit është i shkruar në maqedonisht, shqip dhe anglisht). E shihni se çfarë perceptimi krijohet, sipas parimit se nëse një gënjeshtër thuhet njëqind herë, ajo bëhet e vërtetë. Nuk do të bëhet e vërtetë. Edhe për ‘balancuesin’ po i njëjti person thotë se unë kam zbatuar programin e një partie politike me shfuqizimin e tij. Këto janë gënjeshtra”, tha Kostadinovski.

Ai i cilësoi si të pavërteta edhe pretendimet e partisë E Majta (Levica) se e kishte mbajtur në sirtar lëndën për nismën e tyre lidhur me Kodin Zgjedhor, në pjesën e reklamimit politik. Sipas tij, ekzistojnë data të sakta se kur është formuar lënda, kur i është dorëzuar atij dhe kur është vendosur në rend dite.

“Nuk dua t’i përmend me emra, sepse nuk dua të polemizoj me politikën, por kemi një mjedis politik seriozisht primitiv. Pikërisht këtu e shoh një nga arsyet pse kemi ardhur në këtë gjendje – epërsia e një pushteti mbi pushtetet e tjera krijon një ambient të tillë, por paralelisht edhe niveli i ulët i kulturës politike”, deklaroi Kostadinovski.